Hamdi Salihi, si shumë futbollistë të tjerë, ka zgjedhur vendlindjen e tij, Shkodrën për të kaluar pushimet e fundivitit. Ish-bomberi i kombëtares, i intervistuar nga A2, tregon për aventurën e tij në Austri në klubin e Winner Neustadt, atje ku sipas 34-vjeçarit, skuadra ka pasur mundësi për të bërë më mirë në gjysmën e parë të sezonit.

“Sezoni, me thënë të drejtën, nuk ka shkuar ashtu siç e mendonim. Kemi bërë disa gabime rrugës, por përsëri jemi në vendet e para dhe shpresojmë që të rikuperojmë, meqë është luajtur vetëm gjysma e kampionatit”, thotë shkodrani.

Sulmuesi përmend gjithashtu se po shqyrton seriozisht opsionet e ofruara në rang drejtuesi, në rast një tërheqjeje të mundshme nga futbolli i luajtur.

“Po e mendoj sepse kam pasur disa oferta për të kaluar në pozicione drejtuese në klub, por edhe si ndihmës trajner”.

Salihi nuk ka lënë pa komentuar edhe situatën në përfaqësuesen kuqezi.

“Sezoni, të jemi realist, nuk ka qenë i mirë. Por për mendimin tim kjo ishte e pritshme pasi ishte një periudhë tranzicioni me ndryshime shumë të mëdha. Unë, por edhe ata që e njohin pak sportin, i prisnin këto luhatje”, thotë Salihi.

Veterani i sulmit ka shkëlqyer prej vitit 2017 atëherë kur firmosi me skuadrën e Ligës së dytë austriake, duke shënuar plot 26 gola në 46 takime me Wienner Neustadt.