Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka folur rreth vendimit të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të mos e dekretuar kosovarin Gent Cakaj si ministër të Jashtëm të Shqipërisë. Ismaili në një postim në Facebook ka thënë se duartrokitjet e atyre që i gëzohen mosavancimit të një figure me shumë potencial politik, siç është Gent Cakaj, janë dëshpëruese.
“Duartrokitjet e atyre që i gëzohen mosavancimit të një figure me shumë potencial politik, siç është Gent Cakaj, janë dëshpëruese. Skena politike në Kosovë dhe Shqipëri ka ditur të prodhojë politikanë të rinj, të cilët, përkundër moshës së re, kanë ditur të ofrojnë zgjidhje në paqe dhe në situata të krizave”, ka shkruar Ismaili.

Ai ka thënë se politika duhet të bëjë vend për figurat e reja politike me potencial të madh të lidershipit.

“Politika duhet të bëjë vend për figurat e reja politike me potencial të madh të lidershipit, e jo t’i dekurajojë ato. Parimisht, askush nuk do të duhej t’i gëzohej pamundësisë që një djalë nga Kosova, me vullnetin e tij të mirë patriotik, t’i shërbejë Shqipërisë”.