Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të sapoemëruar të Republikës së Estonisë, të Urdhrit Sovran Ushtarak të Shën Gjonit nga Jerusalemi, Rodosi dhe Malta, dhe të Republikës së Ganës dhe Republikës së Ugandës.

Në takimin me ambasadoren e sapoemëruar të Republikës së Estonisë për Republikën e Maqedonisë, me seli në Budapest, N.E. Kristi Karelson, presidenti Ivanov shprehu kënaqësi prej marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale, që në vazhdimësi i kultivojnë dy shtetet mike, duke e afirmuar interesimin për intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit të përbashkët, veçanërisht në ekonomi dhe këmbim tregtar, kumtoi kabineti i presidentit.

“Republika e Maqedonisë i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve fqinje me Republikën e Estonisë dhe në këtë kontekst, më lejoni të shpreh falënderim për mbështetjen e deritanishme që vendi i juaj ia jep realizimit të qëllimeve strategjike të Maqedonisë, integrimit në BE dhe në NATO”, tha presidenti Ivanov.

Ambasadorja Karelson potencoi se Estonia e mbështet të gjithë vendin për anëtarësim në NATO dhe si mbështetëse shumëvjeçare e zgjerimit të BE-së, veçanërisht angazhohet për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë.

Në takimin me ambasadorin e sapoemëruar të Urdhrit Sovran Ushtarak të Shën Gjonit nga Jerusalemi, Rodosi dhe Malta për Republikën e Maqedonisë, N.E. Françesko Saverio Xhusti, Ivanov theksoi se udhëheqëse në relatat midis Maqedonisë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës janë fryma e miqësisë dhe respektimi i ndërsjellë.

Ambasadori Xhusti potencoi se që nga hapja e saj në vitin 1998, Ambasada e Urdhrit Sovran të Maltës në Shkup i ka implementuar disa aktivitete humanitare dhe sociale në vende të ndryshme në Maqedoni, duke theksuar se roli i tij si ambasador i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës do të jetë t’i stimulojë këto nisma.

Në takimin me ambasadoren e sapoemëruar të Republikës së Ganës për Republikën e Maqedonisë, me seli në Pragë, N.E. Virxhinia Hese, presidenti Ivanov shfaqi gatishmëri për gjetjen e formave të ndryshme për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike të ndërsjella dhe e përshëndeti interesimin e studentëve të Ganës për shkollim në Republikën e Maqedonisë, si shembull pozitiv të bashkëpunimit në sferën e arsimit.

Ndërsa në takimin me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Ugandës në Republikën e Maqedonisë, me seli në Romë, E.S. Elizabet Paula Napejok, presidenti i Maqedonisë theksoi se edhe krahas largësisë gjeografike midis dy vendeve, ekzistojnë mënyra për krijimin e kushteve për zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në sfera të ndryshme.

Presidenti Ivanov ambasadorët e sapoemëruar i përgëzoi për funksionin dhe u dëshiroi sukses në kryerjen e detyrës së përgjegjshme diplomatike. .