Dy persona kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr me një pushkë automatike në një kafene në Tel Aviv.

Lajmin e ka bërë të ditur policia izraelite, sipas të cilës forcat e sigurisë kanë ndërmarrë një fushatë masive kërkimi për autorin, duke rrethuar zonat përreth qytetit. Incidenti ka ndodhur në rrugën Dizengoff, në qendër të qytetit.

Ende nuk dihet se cilat kanë qenë motivet e të shtënave, që vijnë pas një vale sulmesh të palestinezëve ndaj izraelitëve në muajt e fundit.

“Ende nuk është i qartë sfondi i ngjarjes. Nuk dihet nëse është një sulm terrorist apo një episod kriminal”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Micky Rosenfeld për BBC.

Sipas rrjetit britanik, 4 nga të plagosurit kanë marrë lëndime serioze, ndërsa njësi speciale dhe ato të anti-terrorit po punojnë në zona të ndryshme të qytetit për kapjen e autorit.

Edhe pse sipas Rosenfeld për këtë sulm nuk kishte pasur paralajmërime specifike, kryetari i bashkisë së qytetit, Ron Huldai tha për gazetarët në vendin e ngjarjes se, “ky duket se është një sulm terrorist i nxitur nga nacionalizmi”.

Në muajt e fundit palestinezët nisën një fushatë sulmesh ndaj izraelitëve me mjete të ftohta, të cilën e quajtën “intifada e thikave”.