Ministri i drejtësisë Adnan Jashari ishte shumë më këmbëngulës kur fliste për stemën me luanin e VMRO-së, se sa kur flet për rastet ku janë dënuar shqiptarët. Ai edhe një herë ka kërkuar që prokuroria Speciale të iniciojë procedurë për rastet “Monstra” dhe “Sopoti”. Për këtë të fundit sipas Jasharit ka indikacione nga materialet e përgjuar ndërsa për Monstrën materialet e paralajmëruara nga opozita duhet të ti kalojnë prokurorisë speciale.

“Për rastin e Sopotit kemi dëgjuar nga të ashtuquajturat bomba se si qëndron situata. Rasti “Monstra” edhe pse u paralajmërua se do të publikohet i njëjti nuk u shpall nga opozita maqedonase. Besoj se ato materiale që nuk janë të publikuar duhej të publikohen. Ato u janë dorëzuar prokurores dhe se do jetë material i mjaftueshëm që prokuroria të thotë se do ta procedojë”, tha Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Jashari refuzoi të spekulojë informatën se gjoja janë vendosur kamera përgjuese në ambientet e Prokurorisë Speciale duke shtuar se ende nuk ka informata zyrtare për këtë rast. Mirëpo nëse vërtetohen informatat, kërkon përgjegjësi nga shërbimet që kujdesen për sigurinë e hapësirave të kësaj prokurorie.

“Çdo deklaratë e imja do të ishte me karakter spekulues prandaj edhe nuk dua të bëj koment nëse janë instaluar por kam dëgjuar nga media dhe e lëmë që konstatimi juaj në kuadër të asaj që ju e quani si spekulim”, deklaroi Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Sipas Jasharit, resori i drejtësisë ka asistuar dhe ka siguruar hapësira shtesë për Prokurorinë Speciale dhe ky resor ka raporte të mira me këtë prokurori. Ministria e drejtësisë ishte ndër më të kritikuarit viteve të fundit në raportin e Pribesë dhe atë të Komisionit evropian sipas të cilëve gjyqësori nuk i mungon aspak puna në mënyrë selektive, sidomos kur bëhet fjalë për raste që kanë të bëjnë me raste ku janë të përfshirë politikanë të nivelit të lartë.