Anthony Zinni, i dërguari i SHBA-ve për zgjidhjen e krizës së Gjirit ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, raportuan burime mediatike në Uashington.

Në një intervistë për CBS-in, ai u shpreh se e ndjen që nuk mund ta zgjidhë me sukses këtë krizë, pasi liderët rajonalë nuk kanë vullnet të bien dakord mbi një ndërmjetësim që Uashingtoni do të ofrojë ose kontribuojë në të. Ai gjithashtu tha se nuk gjeti në terren ndonjë dëshirë për një zgjidhje të qëndrueshme të kësaj krize që ka zgjatur prej gati një viti e gjysmë.

Dorëheqja e tij vjen pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo nisi një tur vizitash në Lindjen e Mesme, përfshirë dhe vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Derpartamenti i Shtetit pati emëruar gjeneralin në pension Anthony Zinni dhe Timothy Endrican si të dërguar të tij në rajonin e Gjirit për t’u konsultuar me palët e interesuara dhe mbështetur ndërmjetësimin e Kuvajtit për zgjidhjen e krizës, që shpërtheu kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti shpallën në Qershor 2017, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe imponimin e një bllokade totale ndaj tij.

Një korrespondent i Al Jazeera-s në Uashington, citoi fjalën e të dërguarit të dorëhequr Anthony Zinni gjatë intervistës së tij për kanalin CBS, ku tha se çështja e krizës së Gjirit dhe gjithçka është arritur deri tani nga ai dhe ekipi i tij, janë në duar të sigurta edhe pas largimit të nga kjo detyrë.

Anthony Zinni theksoi gjithashtu se marrëdhëniet e tij me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton, Ministrin e Jashtëm Mike Pompeo dhe Këshilltarin e Presidentit Jared Kushner janë të shkëlqyera, çka hedh poshtë mundësitë që dorëheqja e tij të ketë lidhje me ndonjë mosmarrëveshje me zyrtarët në Uashington.

Kjo dorëheqje nuk pritet të ketë pasoja në përpjekjet aktive për zgjidhjen e krizës së Gjirit. Gjatë turit që Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo po zhvillon në Lindje të Mesme, planifikohet të kryhen bisedime me liderët e vendeve të Gjirit për ti dhënë fund kësaj krize.

Loading...