Trajneri i mirënjohur i Struga Trim Lum, Jeton Beqiri, ka deklaruar se në stinorin e dytë të kampionatit në LDFM-grupi i perëndimit të gjitha skuadrat i pret një pranverë e nxehtë sportive.

Megjithatë, Strugën e tij, në fund të kampionatit e sheh në ligën e parë të Maqedonisë Veriore në futboll.  Ata janë lider të ligës me 28 pikë, një më shumë se Labunishta.

Sa jeni të kënaqur me përgatitjet, a ka rrjedhur gjithçka sipas planit të paraparë?
Jeton Beqiri:Kryesisht jam i kënaqur me mbarëvajtjen e fazës përgatitore, gjithcka është zhvilluar sipas planit të paraparë.

A është skuadra e gatshme për sezonin pranveror?
Jeton Beqiri:
Pas afro dy muaj përgatitje jam i mendimit se skuadra e përgatitur e pret fillimin e sezonit pranveror.

 

Keni zhvilluar edhe disa ndeshje kontrolluese. Sa jeni të kënaqur nga rezultatet dhe formën e lojtarëve?
Jeton Beqiri: Gjatë fazës përgatitore për mua nuk janë të rëndësishme rezultatet e ndeshjeve kontrolluese. Ka qenë e rëndësishme që tu jepet mundësia të gjithë futbollistëve që kemi në dispozicion, të bëhet dozimi i formës përmes ndeshjeve dhe të korigjohen gabimet që paraqiten. E rëndësishme ka qenë edhe adaptimi i lojtarëve të ri me ekipin.

Keni sjell edhe ca përforcime në skuadër. Çka pritni nga ata në sezonin pranveror?
Jeton Beqiri: Nga përforcimet e ardhur pres të rrisin cilësinë në skuadër, nga futbollistet me përvojë të na japin stabilitet kurse futbollistët e ri të ardhur të na japin më shumë opsione për përmbushjen e rregullit U-19, U-21.

Në krahasim me sezonin vjeshtor, jeni më të fortë apo më të dobët?
Jeton Beqiri:Mendoj se skuadra në krahasim me sezonin vjeshtor ka më shumë kualitet, si edhe të gjitha skuadrat e tjera që janë përforcuar dhe janë më kualitative.

Cilët janë qëllimet e skuadrës në sezonin e dytë?
Jeton Beqiri:Qëllimi kryesor i skuadrës është plasmani në ligën e parë të Maqedonisë.

Kush janë konkurrentët e skuadrës suaj?
Jeton Beqiri:Për ne konkurrent shumë serioz do të jenë të gjitha skuadrat që marrin pjesë në kampionat. Duhet të gjitha t’i respektojmë dhe t’i marrim seriozisht në mënyrë të barabartë. Personalisht mendoj që do të jetë një pranverë e nxehtë dhe shumë e rëndë në aspektin sportiv për të gjitha skuadrat.

Ku e shihni ekipin tuaj në fund të kampionatit?
Jeton Beqiri: Ekipin tonë në fund të kampionatit e shoh në Ligën e Parë të Maqedonisë Veriore. Çdo variant tjetër do ishte dështim së pari për mua, futbollistët dhe gjithë ekipin./lajm