Zvicerani Oliver Jens Schmitt, mendon se autoritetet jugosllave e kishin provuar këtë mundësi dallimi identitar mes “Šiptari dhe “Albanci”. Sipas tij, analog me maqedonishten pas vitit 1945 edhe në Kosovë u bë përpjekje që të krijohej një gjuhë e re letrare shqipe në bazë të dialekteve rajonale, me ç’rast theksoheshin sidomos dallimet me shqipen toske, në gramatikë dhe drejtshkrim

HALIL MATOSHI

Pse dështoi pra njohja e kombit kosovar në ish-federatën jugosllave?

Rreth kësaj teze historiografia shqiptare nuk e ka çarë fare kokën, pra dija shqiptare s’ka pasur asnjë impuls për tema të tilla “të ndjeshme”, porse rreth kësaj teme kanë kundërthënie edhe historianët me famë, si Noel Malcolm dhe Oliver Jens Schmitt.

Pse PKJ në Jajce, 1943, në themel të sistemit federal vendosi “kombet” dhe “kombësitë” sipas postulatit sovjetizues, mirëpo pse nuk pati impakt kur Bashkimi Sovjetik u dha rumunëve të Moldavisë Republikën?

Kurse tek më 1974 shqiptarët e Kosovës, PKJ i njohu tërthortë si kombësi shtetformuese – subjekt konstitutiv i federalizmit jugosllav – por i la njëkohësisht edhe në përbërje të Serbisë!? Pse në anën tjetër projekti komunist për kombin maqedonas pati sukses?

Partia Komuniste e Jugosllavisë nën drejtimin e Josip Broz Titos e kishte adresuar drejt zgjidhjen e çështjes nacionale në Jugosllavi, por ajo me gjithë idetë e drejta dhe pragmatike dështoi në këtë drejtim, para së gjithash, për shkak të obskurantizmit të nacionalizmit egalitar serb dhe idesë për Serbinë e Madhe si projekt i hershëm gjithëserb, që nga “Naćertanija” e Garašaninit e deri te “Libri i kaltër” me ideolog Dobrica Čosićin.

Program nacional ky, i papërmbushur edhe nga luftërat e përgjakshme gjatë shpërbërjes së federatës jugosllave, të prira nga fashizmi konsensual serb, nën përkujdesjen e Slobodan Miloševićit – i cili përfundoi me kapitullim para goditjeve ajrore shtatëjavëshe të NATO-s, më 1999.

Dështimi i Partisë Komuniste Jugosllave për t’i akomoduar dhe për t’u dhënë të drejtat e tyre të ligjshme shqiptarëve në Kosovë, duke qenë nën presionin serbomadh që kishte depërtuar thellë në strukturat e PK të Jugosllavisë dhe animimi i Partisë Komuniste Shqiptare ndaj agresionit të partizanëve mbi civilët shqiptarë të Kosovës, është causa prima e kryengritjeve të pareshtura të shqiptarëve kosovarë dhe t’i cilësosh këta kryengritës si “kolaboracionistë”, “banditë” dhe “nazifashistë” është tezë joshkencore dhe historikisht e padrejtë dhe e paqëndrueshme, siç u dëshmua në vitet në vazhdim.

Thjesht, tradhtia e PKJ-së nën ndikimin e fuqishëm serb, si dhe kthimi i shpinës nga PKSH dhe Enver Hoxha e çuan poshtë atdhetarizmin e shqiptarëve të Kosovës, duke i lënë të vetmuar në një kryengritje prej dëshpërimi.

Pse dhe si ndodhi që Partia Komuniste Jugosllave dështoi në Kosovë dhe u shndërrua në fuqi pushtuese?
Në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër më 1913 u rrëzua pretendimi shqiptar (projekti i pavarësisë territoriale të Shqipërisë unike), duke u copëtuar dhe ndarë fqinjëve të shqiptarëve territoret e tyre (Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi).

Konferenca e Paqes në Versajë më 1919 e konfirmoi këtë verdikt, duke ua lënë gjeografinë kryesisht të banuar me shqiptarë Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS).
“PKJ për një kohë të gjatë pati dënuar shtypjen kombëtare të shqiptarëve nga ana e nacionalistëve hegjemonistë serbomadh që po i dënonte shqiptarët me zhbërje” – shkruante vetë Josip Broz Tito në gazetën “Proleter.” Po ashtu PKJ një kohë e mbronte tezën se popujve që e përbënin Mbretërinë e Jugosllavisë duhej t’u njihej e drejta e vetëvendosjes.

Në artikullin në fjalë, me titullin “Kundër rrezikut të luftës, kundër sulmit të reaksionit fashist – duhet të bashkohen të gjitha forcat demokratike në frontin popullor-ushtarak edhe në Jugosllavi”, në gazetën e KQ të PKJ-së “Proleter” më 2 shkurt 1937 Tito shkruante: “Fillimi i kësaj lufte, në të cilën masat popullore do t’i bashkojnë të gjitha forcat e tyre, do të thotë edhe fillimi i pakusht i zgjidhjes së çështjes nacionale në pajtim me parimet demokratike të së drejtës për vetëvendosje.”

Në artikullin e dytë, të botuar po ashtu në “Proleter”, kah fundi i dhjetorit 1944, nën titullin “Çështja kombëtare në Jugosllavi nën dritën e Luftës Nacionalçlirimtare”, që konsiderohej si dokument programatik i PKJ-së mbi çështjen nacionale, Tito theksonte: “PKJ nuk ka hequr dorë dhe kurrë s’do ta bëjë këtë, nga parimet, që ishin vendosur nga mësuesit dhe udhëheqësit tanë të mëdhenj Lenini e Stalini, nga parimet se secili popull ka të drejtë që të vendosë vetë deri në shkëputje.

Çështja e Maqedonisë, Kosovës dhe Metohisë, Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnjës e Hercegovinës do të jenë lehtë të zgjidhshme, duhet të jenë të gjithë të kënaqur. Këtë do ta zgjidhë vetë populli, e secili popull këtë të drejtë e arrin me pushkë në dorë në këtë Luftë Nacionalçlirimtare”.

Në tezat mbi çështjen nacionale të Kosovës dhe Metohisë, që i paraqiti njëri nga udhëheqësit e lartë të PKJ-së, Moša Pijade, në Konferencën e Pestë të vendit të mbajtur në Zagreb, në tetor 1940, thuhej: “Zgjidhja e çështjes nacionale (në Kosovë, vër. red.) mund

të arrihet me krijimin e Republikës së lirë të Punëtorëve dhe fshatarëve të Kosovës me ndihmën e kryengritjes revolucionare kundër fashizmit, si dhe kundër regjimit imperialist të borgjezisë serbomadhe. Këso zgjidhjeje për shqiptarët, turqit, dhe myslimanët do të thotë që të arrijnë pronësi të plotë mbi tokën, që të çlirohen nga shtypja nacionale dhe të sigurohen kushte për zhvillim të plotë nacional, politik dhe kulturor”.

(Arkivi RSFJ, fondi i KQ.)
Kështu PKJ ia kishte pranuar popullit të Kosovës sikur edhe popujve të tjerë të Jugosllavisë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, të drejtën për republikën vetjake. Këto të drejta populli i Kosovës do t’i fitonte duke marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Dhe shqiptarët e Kosovës morën pjesë në luftë, duke dhënë një kontribut të theksuar në çlirimin e Kosovës dhe Jugosllavisë.
Në bazë të vendimit të Konferencës së Pestë të vendit të PKJ-së, Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste për Kosovën në Konferencën e Pestë të vendit përfaqësohej si organizatë autonome dhe kishte caktuar Boris Vukmirovićin që ta prezantonte, por për shkak të rrethanave të pasqaruara nuk ka arritur në Zagreb.

Dhe gjatë tërë Luftës së Dytë Botërore ky komitet ka mbajtur lidhje direkte me KQ të PKJ-së, me atributet e njëjta të komiteteve tjera partiake, si të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Malit të Zi. Po ashtu edhe Shtabi kryesor Ushtarak i Kosovës gjatë luftës ishte direkt i lidhur me Shtabin Suprem të Jugosllavisë.

Në këtë mënyrë, partia, Ushtria Nacionalçlirimtare, Këshillat, Fronti etj. në Kosovë nuk ishin të varura nga Serbia dhe nuk kanë vepruar në kuadër të saj. Pra sikur kombet tjera ishin direkt të lidhura me forumet qendrore të Jugosllavisë.

(Dokumenti J-1, 18. 5. 1981; Komenti i transmetuar nga Radio Tirana, i transkriptuar për nevojat e shërbimit të jashtëm jugosllav, përkatësisht për nevojat e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës.)
PKJ ia kishte pranuar popullit të Kosovës sikur edhe popujve të tjerë të Jugosllavisë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, të drejtën për republikën vetjake. Këto të drejta populli i Kosovës do t’i fitonte duke marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe shqiptarët e Kosovës morën pjesë në luftë, duke dhënë një kontribut të theksuar në çlirimin e Kosovës dhe Jugosllavisë.

Këtë fakt e përmend si valid edhe historiani Noel Malcolm, i cili thekson faktin se në Kongresin V Kombëtar të Partisë, në tetorin e vitit 1940, Komiteti vendës për Kosovën ishte ndarë nga Komiteti rajonal i Malit të Zi (në kuadër të të cilit kishte qenë deri atëherë), atij iu dha një status i veçantë që linte të kuptohej fuqimisht se territori i Kosovës konsiderohej si njësi e veçantë. Po ashtu ky autor përmend referatin e Mosha Pijades, i cili ofronte për diskutim zgjidhjen e çështjes kombëtare edhe në Kosovë, duke propozuar një republikë të punëtorëve dhe të fshatarëve të lirë të Kosovës. (Noel Malcolm; Kosova një histori e shkurtër; Botimet KOHA, 2001; Fq. 312)

Malcolm, duke pasur parasysh qëndrimet deri atëherë parimore të PKJ-së për çështjen nacionale, duke spikatur Mbledhjen e KNÇJ në Jajce, 1943, Konferencën e Bunjajt, 1943-44, dhe nisur nga kjo shtron pyetjen legjitime: Pse atëherë nuk u ndërmor edhe hapi i fundit për “shndërrimin e krahinave autonome” në republika?
Sipas tij, lidhur me këtë ekzistojnë dy përgjigje, njëra teorike dhe tjetra praktike: Kundërshtimi teorik ishte se i tërë themeli i sistemit federal jugosllav, ashtu siç ishte projektuar nga udhëheqja komuniste në Jajce, 1943, ishte se republikat ishin entitete për “kombet”, për dallim nga “kombësitë”.

Ky dallim, vëren Malcolm, i cili kurrë nuk është përkthyer në anglisht, ishte njëfarë doktrine komuniste e zhvilluar në Bashkimin Sovjetik. Kombi (serbisht narod) ishte potencialisht një njësi shtetformuese – ose së paku “njerëzit e saj punues” kishin këtë të drejtë – dhe prandaj një republikë federative kishte edhe të drejtën përfundimtare për shkëputje, kur ishte një republikë si pjesë përbërëse e federatës.

Kombësia (serbisht: narodnost), nga ana tjetër ishte një pjesë e zhvendosur e një kombi, pjesa kryesore e së cilës jetonte diku tjetër: prandaj nuk mund të bëhej komb kushtetues në federatë dhe as që mund të kishte njësinë e vet federale. Shqiptarët e Kosovës,

së këndejmi, ishin kombësi, sepse “kombi” i shqiptarëve e kishte shtetin e vet në Shqipëri; po i njëjti parim vlente edhe për hungarezët e Vojvodinës.
(Shih për këtë: Malcolm, Noel; Po aty; fq.341.)

Mirëpo, kundërthënia në këtë postulat sovjetizues del në pah kur Moska ua njohu republikën rumunëve të Moldavisë dhe më 1974 – megjithëse non sens de iure, de facto iu njoh edhe Kosovës e drejta e vetos në Kuvendin federal duke e shndërruar vendin në subjekt federal – të barabartë me republikat tjera – pos që ende vazhdoi të mbetej dualizmi juridik, Kosova edhe u ngrit në njësi federale edhe mbeti në përbërje të Serbisë!?

Me këtë fakt, praktikisht vetë thelbi i ndërtimit federal të shtetit komunist ndryshoi, duke demantuar tezën se kombësitë ishin pjesë të zhvendosura të një kombi që e ka shtetin e vet diku tjetër, ngase kombësia shqiptare në Kosovë objektivisht u barazua me
republikat tjera në nivelin e pushtetit federal.

Sipas Malcolmit, pasi që sipas këtij postulati sovjetizues, kombësitë nuk mund të krijonin njësinë e vet federale, shqiptarët e Kosovës nuk i pyeti kush, porse autoritetet jugosllave do të mund të provonin një politikë që e theksonte (për ta shmangur dallimin mes kombeve dhe kombësive) ose të krijonin një identitet të veçantë kosovar, që dallon nga identiteti unik shqiptar të Republikës atëherë Popullore të Shqipërisë, duke iu përmbajtur shembullit të politikës sovjetike me rumunët e Moldavisë.
Në çështjet gjuhësore për shembull Kosova do të mund të formonte një identitet të veçantë gjuhësor, duke i kodifikuar karakteristikat e veçanta të variantit gegë të shqipes, në kundërshtim me variantin kryesor toskë, i cili ishte kodifikuar si standard i shqipes më 1972.

Mirëpo një politikë e tillë as që ishte provuar ndonjëherë në Kosovë, ku ishte përqafuar standardi i shqipes. (Shih: Malcolm, Noel; Po aty. Fq. 342.)

Prandaj, sipas kësaj teorie, del se krijimi i një identiteti të ri për shqiptarët kosovarë do të ishte me leverdi për ta, për të marrë statusin e republikës atëbotë, porse politika jugosllave nuk e dëshironte këtë, prandaj edhe i la shqiptarët si pakicë kombëtare (pjesë e identitetit unik shqiptar) të cilëve nuk u takonte republika!?

Në anën tjetër, historiani zviceran (anëtar i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar korrespondent i Akademisë kosovare të Shkencave dhe Arteve) Oliver Jens Schmitt këtë mundësi të krijimit të një identiteti të ri e sheh në kontekstin dhe analog me krijimin e kombit maqedonas.

Sipas tij, analog me maqedonishten pas vitit 1945 edhe në Kosovë u bë përpjekje që të krijohej një gjuhë e re letrare shqipe në bazë të dialekteve rajonale, me ç’rast theksoheshin sidomos dallimet me shqipen toske, në gramatikë dhe drejtshkrim.
Si gjuhë letrare gegnishtja kishte një traditë të gjatë që shkonte deri në shekullin e 16-të) dhe dominuese në hapësirën gjuhësore shqiptare dhe duke pasur parasysh favorizimin e toskërishtes nga komunistët kryesisht me origjinë nga jugu i Shqipërisë, gegnishtja do të kishte mundur të shërbente si bazë për një identitet të veçuar kosovar-shqiptar.

Në fakt gjatë dy dekadave të para të Jugosllavisë së dytë shtypi zyrtar në Kosovë përdori një variant të theksuar të gegnishtes me qëllim që shqipja e kultivuar në Jugosllavi mundësisht të largohej nga gjuha letrare e stimuluar në Shqipëri. Por në këtë rrafsh mendimet e Malcolmit dhe Schmittit ndahen.

Sepse britaniku mendon se do t’ia vlente që nga autoritetet jugosllave të provohej krijimi i një identiteti të ri kosovar, por ato as që kishin menduar për këtë mundësi, nga droja se kjo do të shpinte në dhënien e republikës për Kosovën; ndërsa i dyti, zvicerani, mendon se autoritetet jugosllave e kishin provuar këtë mundësi dallimi identitar mes “Šiptari dhe “Albanci”, por kjo ishte hedhur poshtë me ashpërsi nga shumica e elitës së shqiptarëve në Kosovë!?

Schmitt shkruan se edhe sa u përket nocioneve, autoritetet jugosllave ishin përpjekur të bënin dallim mes “Šiptari” (në Kosovë kjo interpretohej nga fjala “shqiptar”, por në serbisht ka një konotacion nënçmues) dhe “Albanci” (në Shqipëri.)

Schmitt më tutje thotë se në nëntor 1952 , një mbledhje për gjuhën vendosi që një variant i gegnishtes për shqiptarët e Kosovës të bëhej normë, që do të veçohej nga gegnishtja veriore (shkodrançe) dhe gegnishtja jugore (rrethi i Elbasanit), pra të dallonte nga gegnishtja e Republikës Popullore të Shqipërisë. Schmitt më tej citon gjuhëtarin Rexhep Ismajli, sipas të cilit kjo do t’i jepte “një shkas të fuqishëm zhvillimit të matejshëm të te
gjitha mundësinavet ende të pashfrytësueme të kosovarishtes dhe të dibranishtes.” (Shih për këtë: Ismajli, Rexhep, “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh”, Tiranë 2005; Fq. 429.)

Së këndejmi dallimi vendimtar mes politikave identitare në Maqedoni është se ajo që u sprovua dhe u realizua në Maqedoni, në Kosovë as që u provua, sepse nga ana jugosllave kishte drojë se kjo cilësi e re identitare mund t’i detyronte ata që Kosovën ta ngrinin në nivel republike, ndërsa në Kosovë dhe ndër shqiptarët nuk pati fare impulse të tilla, për të krijuar një identitet të veçantë, pos ndonjë shkencëtari që pa kurrfarë debati të argumentuar do të etiketohej nga e majta nacionaliste shqiptarë si mbështetës i Titos dhe projugosllav (rasti i filologut dhe osmanistit me renome ndërkombëtare, Hasan Kaleshi etj.)