Klubi i futsallit “Karadaku” nga Likova nuk di të ndalet në misionin për t’u ngjitur në elitën e futsallit vendor, shkruan gazeta Lajm.

 

“Djelmoshat” e trajnerit dhe emrit të mirënjohur të futbollit, Gazmend Bilalli, së fundmi shënuan fitore të thellë kundër Shkupit me rezultat 5-2. Ka qenë kjo fitorja e tyre e katër në pesë ndeshjet e sezonit pranveror.

“Me Zotin përpara ia kemi mësyer ligës së parë. Po luajmë mirë, jemi në formë dhe shpresojmë se do të realizojmë ëndrrën tonë që të luajmë në elitën e futsallit të Maqedonisë”, deklaroi trajneri Gazmend Bilalli për gazetën Lajm.

Në ndeshjen e ardhshme, të premten (ora 18:00), Karadaku luan në terren të vet kundër Ovce Pole-s nga Sveti Nikolla.

Në renditjen tabelore të Ligës së dytë, tre javë para përfundimit të rrethit të dytë, Karadaku është në vendin e parë me 32 pikë (10 fitore, dy barazime, një humbje), dy më shumë se Mal Ajaks nga Shtipi dhe 10 pikë larg Uni Pab nga Koçani.

Kujtojmë, se në fillim liga ka numëruar 10 ekipe, ndërkohë që dy janë tërhequr.

Në elitën e futsallit inkuadrohen dy ekipet e para, kurse ekipi që zë vendin e tretë do të luaj ndeshje balotazhi. /lajm