Në mega-intervistën e tij për gazetën “Kosova-Sot”, veprimtari i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, ka folur edhe për vrasjet e dyshimta që kanë ndodhur. Me këtë rast ai ka folur edhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit (të cilin gjatë intervistës ai e quan vetëm “Ahmeti”), transmeton “Lajm”.

Kosova Sot”: Cila është e vërteta e vrasjeve që ndodhën në kohën e luftës në radhët e UÇK-së, si Konushevcit, Hallaçit, Shalës etj?

Ibrahim Kelmendi: Për disa vrasje gjatë luftës akoma kemi shqetësime e zhurmime, meqë ende nuk janë ndriçuar. Vrasja e Ilir Konushevcit (i njohur me nofkën komandant “Mërgimi”), më 9 maj 1998, ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. Dorasit vrastarë janë identifikuar. Ishin vëllezërit Demiri nga Tropoja. Ata u dekonspiruan, meqë vëllai më i ri u plagos rëndë në pusinë që kishte zënë dhe vdiq gjatë transportit drejt spitalit në Bajram Curr. Ndërsa, vëllai i madh, Besim Demiri, duhet të jetë ekzekutuar pas ca ditësh nga Fatmir Haklaj, atë kohë i legjendarizuar. Meqë vrasësit nuk duhet të kenë pasur qëllim plaçkitjen ordinere, siç ndodhi atëherë në Shqipëri, mbeti për të dyshuar kush i kishte komanduar e paguar, meqë vëllezërit Demiri ishin afirmuar si kriminelë, që vrisnin me pagesë. Atëherë e deri tani kam shkruar disa herë se Azemi e Xhaviti i kishin halë në sy Ilir Konushevcin, Qerim Kelmendin dhe “Dilaverin” (nuk po me kujtohet emri i tij / është në FSK), meqë këta tre kishin ngritur rrjet më të sofistikuar logjistik për futje të armëve e municionit në Kosovë. Gjatë marsit dhe prillit e nuhata se Xhaviti dhe Azemi ishin të vendosur të eliminonin edhe fizikisht, kushdo që ua rrezikon primatin e tyre në UÇK. Me shpresë se do të evitohej ai rrezik e biseduam edhe me Ilirin që Qerimin përkohësisht ta largojmë nga Shqipëria, meqë gjykonim se ai ishte kryesori që po i irritonte Xhavitin, Azemin e Hashimin. Iliri ishte i bindur se pa praninë e Qerimit do të mund të gjente një kompromis me Xhavitin e Azemin. Për Ilirin dihej se ishte “deleguar” në “Shtab të përgjithshëm” nga Zona e Llapit, në vend të heroit Zahir Pajaziti, që ishte vrarë nga policia serbe. Atëherë dhe sot vazhdoj të dyshoj se urdhri për vrasje të Ilirit duhet të jetë marrë në Serbi, ndërsa pagesën financiare duhet ta kenë bërë Xhaviti dhe Azemi. Fatkeqësisht, hetimet për vrasje të Ilir Konushevcit dhe shoqëruesit të tij, Dr. Hazir Mala, i ka sabotuar ekstra kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, me arsyetim se po u ndriçuan ato vrasje do të pasojnë vrasje hakmarrëse zinxhirore. Unë kam pasur rastin të shoh dosjen fillestare të hetimit, e “stazhionuar” në zyrë të kryeprokurorit të përgjithshëm (Sallaku) dhe jam bindur se hetimet fillestare janë ndërprerë me urdhër politik. Për vrasjet e Beadin Hallaçit dhe Shaban Shalës nuk jam i informuar konkretisht, prandaj nuk dua t’i shpërdoroj përfoljet për të sajuar spekulime.

“Kosova Sot”: A kanë lidhje këto vrasje me trafikun e armëve, që bëhej në atë periudhë?

Ibrahim Kelmendi: Jo, nuk kanë lidhje me trafikim armësh, meqë asnjëri nga të vrarët nuk është marrë me trafikim të armëve. Dyshoj se ata janë mënjanuar fizikisht për të mënjanuar konkurrencën.

“Kosova Sot”: Vrasje ndodhën edhe në Tiranë. Kush ishte i interesuar ta vriste ministrin e Mbrojtës në atë kohë të qeverisë ‘Bukoshi’?

Ibrahim Kelmendi: Për vrasjen e “ministrit të Mbrojtjes”, të ndierit Ahmet Krasniqi, është zhurmuar shumë, janë përhapur spekulime e shpifje nga më të ndryshmet. Unë përjashtoj mundësinë që vendimi për vrasjen e Ahmetit është marrë në Serbi, meqë Serbia nuk duhet të ketë qenë e interesuar të likuidojë marionetën e saj, të pozicionuar në pozicion aq me rëndësi. Edhe atëherë kur më ka kontaktuar z. Miftar Ziba, bashkëvendës i “kryeministrit” Bujar Bukoshi dhe shefit të kundërzbulimit të FARK-ut, i kam folur se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa duhet të kishin interesim të madh për ta vrarë Ahmetin, që të kamuflonin hajnitë që u kanë bërë ata financave të Fondit “shtetëror”, i njohur si “3 %-shi”. Përndryshe, siç kam shkruar, po të flitej me gjuhë ushtarake, vrasja e Ahmet Krasniqit ka qenë një fat i madh për luftën në Kosovë. Rreth dy muaj më parë ai dhe Tahir Zemaj organizuan një brigadë diversioniste dhe e futën në Dukagjin, për ta zhdukur UÇK-në e Dukagjinit, duke e minuar nga brenda, kurse forcat serbe duke e sulmuar nga jashtë. Kjo duhej të ndodhte që të priteshin rrugët e furnizimit të UÇK-së me armë nga Shqipëria dhe të nënshtrohej Zona me më se shumti ushtarë dhe armatim. Vazhdoj të kem dyshim se në atë komplot diversionist kishte gisht edhe banda e treshes (Xhaviti, Azemi e Hashimi), meqë në fshatin Jasiq UÇK-ja e Dukagjinit e ka ndaluar atë brigadë dhe ka dashur ta shpartallonte ose ta dëbonte mbrapa. Duhet të ketë ndodhur intervenimi i Xhavitit që të mashtrohej Shtabi i Zonës se Dukagjinit, sikur ishte miratim i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së futja e asaj brigade, që komandohej nga famëkeqi Tahir Zemaj. Për këtë sqarim do të duhej të bëheshin të sinqertë komandanti Ramush Haradinaj, ushtaraku Sali Veseli dhe të mos vazhdojnë me taktizime, për hir të konjukturave politike. Ahmet Krasniqi nuk duhet të jetë vrarë si pasojë e ndonjë vendimmarrje të strukturave të UÇKsë, e as të institucioneve të Shqipërisë. Nuk dyshoj të jetë vrarë as në bazë të vendimmarrjes së bandës së treshes, meqë për bindjen time ata tre, plus Ahmeti, Tahiri, Agim Mehmeti dhe ndonjë tjetër, duhet të kenë qenë bandë e zgjeruar dhe e rakorduar për të komplotuar UÇK-në.

 

Loading...