Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ambasadori amerikan në shkuarje Michael Kirby kanë thënë sot se marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së e Serbisë janë më të mira se sa para tre vjetësh kur në Beograd kishte arritur Kirby për të filluar mandatin e vet prej ambasadori.

Gjatë kësaj periudhe, Kirby disa herë kishte thënë se Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Në një prononcim për mediet serbe në mbarim të vitit të shkuar, Michael Kirby kishte saktësuar se Serbia për të hyrë në BE duhet të mundësojë e të lejojë anëtarësimin e Kosovës në KB.

Kjo deklaratë kishte nxitur reagime të mëdha në Beograd.

E sot, siç njofton kumtesa nga Kryeministria serbe, përcjell B92, Vuçiq e Kirby nuk e kanë përmendur Kosovën por vetëm kanë përmendur suksesin e këtyre marrëdhënieve, sidomos gjatë qeverisje së Vuçiqit.