“Kohë më të gjatë, unë personalisht, habitesha sa shpesh gjej trungje të këtillë dhe sinqerisht më irritonte. A është bërë kjo nga injoranca, nga qëllime të këqija ose për shkaqe të tjera, vërtet nuk mund të jem i sigurt, por as nuk është e rëndësishme. Dhe për këtë shkak, vetë fillova të punoj në fotografimin, mapimin, grumbullimin e të dhënave dhe gjetjen e lokacioneve të reja të trungje të mbjella”, transmeton Radiomof.

Kështu Vasill Sotirovski, dekan i Fakultetit të Pylltarisë në Shkup, e filloi storjen e tij për projektin në të cilin, së bashku me studentë të tij të diplomuar, bëri mapimin e qindra drurëve nëpër Shkup të cilat tekstualisht janë të çimentuara me asfalt, me beton, me pllaka bekatoni ose me materiale të tjera të ndryshme. Dhe për këtë shkak vuajnë dhe vdesin.

“Deri tani kemi përcaktuar dhe grumbulluar të dhëna për pothuajse 500 drurë në Shkup. Por duke e parë kartën e Shkupit dhe duke pasur parasysh ku kemi kaluar dhe ku nuk kemi kërkuar trungje të këtilla, mendoj se ky numër i trungjeve të “mbytura” në Shkup do të jetë mbi 1000. Për fat të keq, trungjet janë vërtet të ngulfatur dhe të çimentuara, dhe shumë prej tyre janë në gjendje të keqe shëndetësore, pikërisht për shkak të këtij problemi. Me vetë atë që rreth trungjeve ka material të fortë, asfalt, pllaka, dërrasa, material ndërtimor, ndërsa në disa raste çati, e gjithë kjo ju pengon trungjeve. Problem më i shpeshtë për trungjet është qasshmëria drejt ujit dhe mungesa e lagështisë së tokës, po edhe mungesa e oksigjenit. Por edhe më keq është kur trungu për shkak të rritjes në gjerësi do të vijë në kontakt me ndonjë material ndërtimor në zonën rreth qafës së rrënjës, respektivisht në sipërfaqen e tokës. Atëherë korja dëmtohet, lihen plagë, ndërsa më e keqja ndodh kur trungjet në të gjithë vëllimin e tyre janë në kontakt me materiale të këtilla të forta. Atëherë ngelin vetëm edhe një vit ose disa vite deri në shkatërrimin e plotë të trungut. Nga vetë rritja e tij mbi materialin i prihen disa enë për qarkullim dhe prandaj më ngadalë ose më shpejtë, thahet dhe vdes”, sqaron profesori, specializimi i të cilit është fitopatologjia.

Për problemin sqaron se janë njoftuar edhe institucionet. Është i prerë se duhet të intervenohet sapo të kalojë dimri.

“Zgjidhja është mjaft efektive dhe e lehtë, vetëm duhet të lirohen trungjet dhe më pas të kihet kujdes në mënyrë plotësuese të mos dëmtohet korja gjatë intervenimit. Materiali rreth trungut duhet të mënjanohet në një distancë të paktën modeste prej 20 centimetra nga trungu. Në parim, sa më e hapur toka rreth trungut, aq më mirë. Për fat të keq, në Shkup gjetja e hapësirës së lirë ngel problem, qoftë nëse bëhet fjalë për parkim, qoftë për shtigje ose rrugica, madje edhe për objekte, dhe mesa duket kompetentëve ju vjen më lehtë të viktimizojnë drurët dhe gjelbërimin”, shton ai.

I pyetur rreth asaj se sa shpesh njerëzit e institucioneve konsultohen me profesorët e këtij fakulteti kur bëhet fjalë për gjelbërimin urban, profesori thotë:

“Do të kisha thënë se konsultohen, por jo aq shpesh sa do të duhej. Për fat të keq, ka pasur situata kur janë konsultuar, por nuk e kanë respektuar atë që ju është thënë, ndërsa në disa raste madje janë kërkuar mënyra të gjejnë kundër argumente, vetëm ta shtyjnë qëllimin e tyre fillestar ose idenë fillestare. Rast i këtillë konkret ishte rreth 500 palmave të famshme të dedikuara për Maqedoni, si dhe aksionin që u quajt Dita e drurit. Ishte kjo një situatë kur i gjithë kuadri arsimor i Fakultetit të Pylltarisë dhe jo vetëm i fakultetit, pa mëdyshje kishin qëndrim të njëjtë, që në praktikë ndoshta është diçka e rrallë. Për fat të keq, madje edhe qëndrimi i këtillë i qartë i institucionit më kompetent për këtë fushë, se disa gjëra në lidhje me ato “projekte” duhet të ndryshohen, nuk u respektua”, thotë profesori i revoltuar që projekte të kota u shpenzuan miliona euro.

Edhe një problem serioz të cilin e përmend profesori, janë qindra drurë të tharë, për shkak të zgjedhjes së keqe të llojeve të pemëve, ose për shkak të zgjedhjes së keqe të pozitës ku janë mbjellë.

“Ka shumë trungje të reja, relativisht të vogla për nga dimensioni, të cilat janë mbjellë në parqe tani më të etabluara me vegjetacion ekzistues më të madh, me drurë të shëndetshëm të mëdhenj dhe të drejtë. Për fat të keq, fidanët e rinj janë të destinuar të dështojnë para se të mbillen. Ato fare nuk mund të jenë konkurrues nën hijet e thella të trungjeve ekzistuese, por edhe nëse mbijetojnë, e humbin kuptimin estetik dhe biologjik, sepse deformohen në kërkimin e tyre të dritës. Thjesht thënë, nuk e kanë vendin atje, sepse disa parqe janë të shkelqyera shtu siç janë, dhe nuk duhet të përpiqemi të krijojmë xhungël prej tyre. Për fat të keq, ka shumë gabime të këtilla në rajonin e qendrës të qytetit. Duke lëvizur nëpër qytet, vërej dhe evidentoj numër të madh të fidanëve tani më të tharë, dhe këtë vetëm 1, 2 ose 3 vjet pas mbjelljes. Nuk e kam të qartë si ashtu pa menduar mund të shpenzohen edhe mjete financiare dhe resurse, në synimin të arrihet numër sa më i madh i fidanëve të mbjellë. Shoh se ky gabim përsëritet një kohë të gjatë, ndërsa rrallë kush referon për numrin e fidanëve të mbijetuar ose fidanëve të cilat do të arrijnë moshe dhe madhësi të trungut”, thotë profesori.

Mbjellja e drurëve, tani e tutje do të paraqesë sfidë, për shkak se nuk mbeti shumë hapësirë e lirë në Shkup. Profesori sqaron se duhet të eksperimentohet me gjelbërimin urban, por jo deri në skajshmëri.

“Me disa aspekte profesionale është krejtësisht e qartë dhe kudo në botë edhe këtu nuk ka vend për eksperimentim. Më parë jo vetëm tek ne, por në përgjithësi ishte interesant dhe në trend të importohen dhe mbillen lloje të bimëve ekzotike, por duhet ditur se jo çdo herë dhe jo të gjitha llojet mund të mbijetojnë dhe të jenë të shëndetshme në Shkup. Edhe në të ardhmen do të na ndodhin gabime të këtilla, ato janë normale, por duhet të jemi të mençëm dhe të mësojmë prej tyre dhe këtu mendoj edhe për njerëzit e praktikës edhe për ata të cilët janë ekspertë në këtë fushë. Prandaj, nuk guxon të fillohen projekte të mëdha me llojet te njëjta të bimëve, sepse dëmi do të jetë edhe më i madh nëse nuk janë përkatëse për një vend të caktuar për rritje”, thotë Sotirovski.

Megjithatë, sugjeron se mbjellja e drurëve nuk mund të jetë metoda dhe vegla themelore kundër ndotjes së ajrit në Shkup.

“Ndikimi i gjelbërimit urban në parandalimin ose zbutjen e ndotjes së ajrit, nuk është aq i madh, saç mendohet, ose saç dëshirojnë qytetarët. Gjelbërimi ka ndikim, por jo në atë shkallë që nga ajër shumë të pa pastër dhe numër të madh të gazrave të dëmshme, ta pastrojë deri në atë masë saqë të fitohet ajër cilësor. Aftësitë e këtilla të gjelbërimit janë të ekzagjeruara në mediat popullore. Mos keqkuptohemi – gjelbërimi urban ka ndikim sepse në të shtresohet edhe grimcat e ajrit, në të cilat ka materie të dëmshme, të cilat më pas lahen nga shirat. Por, se bimët mund të kenë rolin e filtrave, si filtrat e ajrit të cilat i kemi në shtëpi, kjo është mit. Megjithatë, vlerat dhe rëndësia e gjelbërimit urban janë shumë më të mëdha sesa vetë roli i pastruesit të ajrit”, sqaron ai.

Zvogëlohet numri i studentëve të cilët regjistrohen në drejtimin pylltari.

Këtë vit në Fakultetin e Pylltarisë në Shkup, janë regjistruar vetëm 30 studentë që paraqet rënie për 50% krahasuar me vitet e kaluara. Kjo është tema jonë e dhimbshme, thotë dekani Sotirovski. Shkaqet i sheh para së gjithash në shpërnguljen e të rinjve nga Maqedonia. Është interesante, shton ai, që vjet, e njëjta ndodhi edhe në Fakultetet e Pylltarisë në Beograd, Zagreb dhe Sarajevë.

“Për fat të keq, Maqedonia ngel vend me mungesë të shprehur të resurseve njerëzore dhe rreth kësaj teme nuk jam aspak optimist. Jo vetëm që vështirë do të mbërrimë rritje të parametrave ekonomik, por po bëhemi të pa qëndrueshëm në nivel të funksioneve themelore të shoqërisë dhe shtetit”, thotë dekani.

Nuk ka shpresë të madhe as për të ardhmen e fakultetit, nëse nuk ndryshon raporti i institucioneve kompetente dhe njerëzve.

“Problemet e Fakultetit të Pylltarisë dhe të UKM, si dhe të arsimi të lartë në të gjithë Maqedoninë, po përvidhen një periudhë të gjatë kohore. Më keq është me ekipimin kadrovik, edhe ai është në çdo standard. Fakulteti jonë, ndërsa për situatë të ngjashme konkrete di edhe për të Kimisë, si dhe disa fakultete të tjera në UKM, nuk kanë asnjë asistent. Imagjinoni situatë të këtillë, i gjithë personeli akademik, të themi tek ne 17 profesorë (18 të rregullt) dhe dy docentë, mos kenë të punësuar asnjë asistent! Vetëm kjo informatë tregon se shteti, respektivisht pushtet mbajtësit me kalimin e viteve të cilët e përfaqësojnë shtetin, ose kanë qëllime të këqija, ose janë absolutisht të pa interesuar, ose nuk janë me mendje të shëndoshë! Për fat të keq, gjendja është kritike, nuk zgjidhet brenda natës. Po bëhet gjithnjë e më vështirë të tërhiqen studentë solid të cilët do të shohin të ardhmen e tyre në ujërat akademike. Ne fakultetin tonë pothuajse një dekade nuk është punësuar asistent, që do të thotë se disa gjenerata studentë kanë kaluar nëpër sistem dhe janë diplomuar pa e ditur aspak çfarë do të thotë asistent. Për çfarë arsimi të lartë flasim, për çfarë rangimi në Listën e Shangait, me se?”, sqaron profesori.

Dhe ky nuk është problemi i vetëm. Nuk është e tolerueshme, thotë, MASH me vite mos financojë hulumtime shkencore në vendin tonë.

“U bënë 8 vjet që kur MASH nuk shpall konkurs për hulumtime shkencore. Gjithashtu nuk kemi asnjë punësim të personelit administrativ – teknik, ndërsa vetëm në vitet e fundit 6 – 7 veta dolën në pension, pa zëvendësim për ta. Në lidhje me këto tema është diskutuar edhe me eshalonin më të lartë të qeverisë dhe me njerëzit kompetent në ministritë dhe ata konkretisht na dëgjojnë dhe janë në dijeni të problemit. Në fakt, në këtë Qeveri ka disa ministra në resorë të rëndësishëm, të cilët janë profesorë universitar, të gjithë nga UKM. Për fat të keq, përveç që na kanë dëgjuar dhe parimisht kanë shfaqur keqardhje për problemin, deri tani nuk ka asnjë reagim konkret. Është evidente se problemet e arsimit të lartë, në veçanti me zëvendësimin e stafit më të moshuar me të rinj, universitet më i madh dhe më i mirë, UKM, dikush nuk i ka vendosur në nivel prioritar. Deri kur do të jetë kështu nuk e di, por në kuptimin tekstual të fjalës, po na zien nën këmbë”, është i prerë dekani i Fakultetit të Pylltarisë.