Xiao Wang ishte vetëm 17-vjeç kur vendosi ta shet njërën veshkë për ta blerë një iPhone 4, pasi që nuk kishte para për një telefon të tillë.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Wangut i kishin thënë se mund ta vazhdojë jetën pa ndonjë probleme shëndetësore duke bërë një jetë normale me vetëm një veshkë, por shtatë vite më vonë, ky 24-vjeçar është i sëmurë rëndë dhe në dializë, transmeton Telegrafi.

Shtatë vite më parë, iPhone 4 portretizonte gjendjen financiare të një familje kineze sipas bashkëmoshatarëve të Xiao, dhe duke marrë parasysh faktin që ai vinte nga një familje e varfër që nuk kishte para për t’ia blerë, kishte vendosur ta shet një prej organeve të trupit.

Wang kishte vënë kontakte me personat e “specializuar” në shitjen e organeve të njerëzve në tregun e zi dhe kështu ishte marrë vesh me ata ta shet veshkën me një çmim prej 22 mijë yuan (3226 dollarë), që ishin të mjaftueshme për ta blerë telefonin e preferuar. Por, për fat të keq ky veprim i pamenduar mirë ia ka shkatërruar jetën këtij të riu.

Si 17-vjeçar, Xiao mendonte se do të mund të jetonte pa problem me vetëm një veshkë, kurse mjekun që e kishte njoftuar para ndërhyrjes kirurgjikale ia kishte konfirmuar se do të mund të bëjë një jetë normale.

Por, procedura ishte kryer në një spital ilegal në Chenzhou edhe pse asokohe ndërhyrjen e kishin cilësuar si të suksesshme, por disa vite më vonë filluan t’i shfaqen komplikimet shëndetësore.

“Për fat të keq, hapësira ku është kryer operacioni nuk ka qenë e dezinfektuar, ku si pasojë ka ardhur deri te infeksioni i plagës. Ajo çfarë është më e tmerrshme është që familja e Wang nuk kishte ditur asgjë për operacionin e kryer, dhe atë e kishin kuptuar kur biri i tyre nuk arriti më t’i fsheh problemet shëndetësore”, ka deklaruar një person që ka dashur të mbetet anonim.

Infeksioni ishte shpërndarë deri te veshka e shëndoshë, kurse derisa prindërit e dërguan në një spital të vërtetë për t’u shëruar, dëmi tashmë ishte shkaktuar dhe shpëtimi i tij i vetëm ishte që t’i nënshtrohet gjatë gjithë jetës dializës.

Prej asaj kohe Xiao Wang shumicën e kohës e kalon në spital, i shtrirë pranë pajisjes që e mbanë në jetë. Megjithatë, pasi që prindërit e tij ishin njoftuar në detaje për rastin, kishin kontaktuar ndërmjetësuesin dhe mjekun që kishte kryer operacionin të cilët i akuzuan.

Familjarët e Wang janë dëmshpërblyer me 2.2 milionë yuan, ku shumicën e tyre i kanë shpenzuar për tretmane të shtrenjta dhe ilaçe për të birin e tyre 24-vjeç. /Telegrafi/