Tragjedisë së ditës së djeshme (e mërkurë) që ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë, në të cilën humbën jetën 14 persona, si pasojë e çarjes së gomës së një autobusi, i janë bashkuar klubet sportive.

Klubet e futbollit në Maqedoni përmes reagimeve të tyre kanë shkruar se i bashkohen familjarëve të viktimave në dhimbjet e tyre.

“KF Shkëndija ndan dhimbjen me familjet e goditura nga tragjedia në aksidentin e autobusit.  Ngushëllimet më të përzemërta për familjet që humbën të dashurit e tyre, ndërsa lutjet tona për shërim të shpejtë shkojnë për gjithë të lënduarit në këtë fatkeqësi komunikacioni”, shkruan KF Shkëndija.

“Tragjedia që ka goditur vendin tonë, padyshim se ka prekur të gjithë, i njëjtë është rasti edhe me të gjithë anëtarët e FC Shkupi, të cilët ndajnë dhimbjen me familjet e goditura në aksidentin e sotëm që ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë.  Ngushëllimet më të thella për familjet që humbën të dashurit e tyre, ndërsa lutjet tona adresohen te Zoti që ti shërojë të gjithë të lënduarit në këtë fatkeqësi komunikacioni”, shkruajnë nga FC Shkupi.

 

 

“KF Renova shpreh keqardhje te thelle për aksidentin e ndodhur ne magjistralen Tetove-Shkup dhe bashkendjen dhimbjen me të gjithë të prekurit nga tragjedia. Ngushëllime familjarëve dhe shërim sa më të shpejtë të lënduarve”,  thuhet në reagimin e KF Renova.

“Në këtë ditë të rëndë i bashkohemi dhe ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave të këtij aksidenti tragjik. Shprehim ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave”, është reagimi i KF Gostivari.

 

“Me keqardhje e morëm vesh lajmin për tragjedinë që ka ndodhur  në autostradën Tetovë-Shkup. Dëshirojmë të ndajmë dhimbjen e thellë me familjaret dhe të afërmit e viktimave. Zoti i shpërbleftë me xhenet!”, thuhet në postimin e KF Korabi nga Dibra.

 

“Ndjehemi të pikëlluar për aksidentin e rëndë që ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë me rastin e rrokullisjes së autobusit ku pati shumë të vdekur dhe të lënduar.

 

All-llahu i mëshiroftë të vdekurit dhe i shpërbleftë me Xhenet, familjarët e tyre All-llahu i forcoftë me durim, ndërsa të lënduarve shërim sa më të shpejtë, insha All-llah! Amin!”, kanë shkruar nga FC  Goblen I Kumanovës.

“lutemi për ju. Zoti I mëshiroftë ata që ndërruan jetë në fatkeqësinë e ndodhur, familjarëve të viktimave Zoti u dhashë durim, kurse të lënduarve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet në reagimin e Vëllazërimit nga Kërcova.

“Na ka goditur thellë lajmi për fatkeqësinë në komunikacion në autostradën Tetovë-Shkup, ku ndërruan jetë tani për tani 13 persona.

FK BVK shprehë ngushëllime familjarëve, shërim të shpejtë të lënduarve dhe falënderim personave mjekësor për angazhimin në këtë ngjarje të rëndë. Me respekt FK BVK”, thuhet në reagimin e FK Bratstvo Vllaznimi Kardeşlik./lajm