Komunikacioni nëpër rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimri, nëpër rrugë të lagështa me mbetje të borës në rrugë. Reshje të borës me intensitet të ndryshëm vërehen në Tetovë, Kodrën e Diellit, Mavrovë dhe Dibër.

Dukshmëri të zvogëluar për shkak të paraqitjes së mjegullës deri në 100 metra ka në vendkalimin malor Strazhë, kumtoi Lidhja Automoto e Maqedonisë (LAMM).

Ndalesë për lëvizjen e automjeteve të rënda ka në drejtimin rrugor Mavrovë- Dibër, Gostivar – Kërçovë, përmes kalimit malor Strazhë, Kërçovë – Ohër, përmes kalimit malor Presekë, Strugë – vendkalimi kufitar Qafthanë dhe Tetovë – Kodra e Diellit, ku ndalesa vlen edhe për autobusë ndërsa për automjetet e tjera është i obligueshëm përdorimi i pajisjeve të dimrit (zinxhirëve).