Prokuroria ka kërkuar sot konfiskimin e një resorti turistik tek ‘Uji i Ftohtë’ në Vlorë, pasi dyshohet se është ndërtuar me para droge nga aktiviteti kriminal. Hoteli 5-katësh është në pronësi të Shpëtim Brahimajt, por sipas hetuesve, ka dyshime të forta se është ndërtuar me paratë e drogës së djalit të tij, Isuf Kokaj(Brahimaj).

Ky i fundit u vra në atentat me minë të telekomanduar në gusht të vitit 2014. Viktimës Isuf Kokaj iu vendos tritol poshtë makinës dhe eksplozivi shpërtheu kur automjeti ishte në ecja. Isuf Kokaj(Brahimaj) dyshohet se u ekzekutua në atë kohë pikërisht për përfshirje të tij në aktivitet kriminal. Prokurori thotë se Isuf Kokaj ishte dënuar nga autoritetet italiane dhe holandeze për trafik ndërkombëtar droge.

Kështu, në bazë të ligjit Antimafia, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon që hoteli turistik në pronësi të babai të viktimës së ekzekutuar, të konfiskohet pasi është bërë me para droge. Vlera e hotelit llogaritet rreth 100 milionë Lekë të reja. Në videon e mëposhtme, tregohen momentet e ekzekutimit me tritol të Isuf Kokajt në gusht të 2014-s.