Instituti EPIK përmes një publikimi ka trajtuar fondet e Bashkimit Europian apo të njohura ndryshe me termin zyrtar Instrumenti i Para Anëtarësimit. Përmes IPA-s si instrument kryesor financiar, BE-ja mbështet zbatimin e reformave të Kosovës në procesin integrues.

Gjatë periudhës 2007-2014, Kosova kishte përfituar 650 milionë euro nga fondet e IPA-së, ndërsa për periudhën 2014-2020 pas miratimit të Strategjisë Indikative Financiare, Kosovës iu ndanë 645.5 milionë euro.

Në gusht të vitit 2018, alokimet buxhetore u rishikuan për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe si pasojë Kosova humbi 43.4 milionë euro dhe rrjedhimisht i tërë buxheti për periudhën 2014-2020 ka rëne në 602.1 milionë euro.

“Nga ana tjetër, buxheti i BE-së për Serbinë u rrit për 31 milionë euro, nga €1.50 miliardë në vitin 2014 në 1,53 miliardë euro në vitin 2018. Ndërsa për Malin e Zi u rrit për 8.6 milionë euro, nga 270.5 milionë në vitin 2014 në 279.1 milionë euro në vitin 2018”, thuhet në këtë publikim.

Prioritetet e përcaktuara për financim janë: demokracia dhe qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe drejtat themelore, mjedisi, ndryshimet klimatike, energjia, rritja e konkurrueshmerisë, inovacioni, bujqësia dhe zhvillim rural, arsimi, punësimi dhe politikat sociale.