Historia e familjes Masha nga Bubqi, nga konflikti për tokën me fqinjin kryetar komune, tek akuza që mban djalin në burg me një akuzë pa prova. Besim Masha akuzon Prokurorinë dhe Policinë për montimin e dosjes kundër djalit të tyre, në favor të Qemal Dacit, administrator i komunës

Erjon Dervishi

Më mirë 10 fajtorë të lirë, se sa një i pafajshëm në burg. Ky postulat i drejtësisë, në Shqipëri është zëvendësuar me ligjin e pashkruar “kush paguan nuk ndëshkohet”. Dy prindër kanë rrëfyer për gazetën “Shekulli”, dramën që po përjetojnë prej muajit mars të vitit 2015, duke u përballuar me arbitraritetin e policisë së Durrësit. Familja Masha i është drejtuar gazetës për të kërkuar drejtësi për djalin e tyre. Të lodhur nga proceset, ata kërcënojnë me vetëgjyqësi. Djali i tyre akuzohet si organizator i grabitjes së banesës së administratorit të komunës Bubq në Fushë-Krujë, Qemal Daci, ngjarje e ndodhur më 12 mars të vitit 2015. 5 të rinj kanë hyrë në mbrëmje në banesën e Dacit duke hapur derën me levë, grabitësit kanë lidhur me fasheta makinash në duar dhe me tel telefoni ne këmbë të zonjën e shtëpisë Rudina Daci, dhe kanë arritur të grabisin në katin e dytë të banesës një shumë parash prej 10 milionë lekë (të vjetra). Për ngjarjen u arrestuan 5 persona si dhe kushëriri i administratorit, Murat Masha, i cili është dënuar me 12 vite burg për këtë grabitje ku mbeti e dëmtuar e zonja e shtëpisë dhe një fqinje. Prindërit e të riut, të afërm me administratorin e komunës, thonë se arrestimi i djalit ishte i dyshimtë dhe me prapavijë. Sipas tyre, gjykata e ka dënuar djalin pa pasur prova. Në një komunikim për gazetën “Shekulli” ka folur edhe Kryetari i Komunës Qemal Daci, i cili thotë se “nuk kam lidhje me këtë ngjarje. Personat janë viktimë e drejtësisë”.

Intervista me prindërit e Murat Mashës:

Si qëndron problemi, për çfarë ankoheni?

Besim Masha: Kanë vjedhur shtëpinë e një komshiu këtu. Djali im ka qenë me ne. Atë natë çuni ka qenë me të zotin e shtëpisë. Puçin e ka bërë vetë i zoti i shtëpisë. Për të më ulur mua kokën.

Po përse?

Sepse e gjitha ka të bëjë me pronën. Mua më kanë shkulur pronën. Policia ka faj të madh. Pronën time e kanë marrë. Ma kanë vjedhur në oborr. Tokën time e kam atje lart në kodër. E quajtur Kodra e Mazhës. E kam me letra dhe me tapi, është brenda vijës së verdhë. E kam me kartën e verdhë dhe me të gjitha dokumentet. Kryetari i Komunës ma ka marrë këtë pronë. Ai është i Partisë Socialiste, quhet Qemal Daci. Sa të jetë Edi Rama në krye, nuk ke se çfarë të bësh. Mua më ka thënë vetë prokurori, se kur të gjesh drejtësinë ti, unë kam dalë në pension. Kanë hedhur para. Ka hedhur para në polici, i ka bërë presion në telefon, që të hapë telefonin për hajdutin. Ata i kanë bërë presion hajdutit që të mos e nxjerrë emrin e kryetarit. Në fillim hetuesi më tha që mos merr avokat. Ndërkohë që djali ka qenë me mua. Edhe babai i gocës së rrëmbyer ka thënë që djali ka qenë këtu, nuk ka faj. Ndërkohë që policia thotë të kundërtën, që unë kam bërë rojë për të ruajtur hajdutin. Ndërkohë, thotë oficeri i policisë, kur jemi bërë gati për tu larguar, në makinë kishte katër veta. Çuni im ishte me shokët e tjerë dhe me të zotin e shtëpisë. Edhe me babain e asaj gocës që ishte e lidhur brenda. Çuni im e ndjek nga mbrapa hajdutin. Pra, djali im me shokët e kanë bllokuar hajdutin. Ai po i priste me makinë. Kur ka ardhur i zoti i shtëpisë, i zoti i shtëpisë e ka ndarë hajdutin 5-6 metra më tutje dhe i ka dhënë leje të ikë. Ai i tha që nuk ka vjedhur gjë. Pse e bëri i zoti i shtëpisë këtë punë? Ai ka thënë që djalin tim ndiqeni nga pas, kurse hajdutin lërë të ikë. Pra, hajduti nuk u kap. Me këtë rast oficeri i policisë ia hodhi fajin djalit tim dhe shokëve të tij. Pra, që keni hyrë për të vjedhur dhe deshët të shkonit tek makina dhe keni ikur bashkë me Murat Mashën, djalin tim, për tërë natën në këmbë deri në vend. Por djali im ka qenë këtu. Sepse të vesh në Derven me këmbë do gati 5 orë. Çuni im ka qenë gjithë natën këtu, tek shtëpia e Qemalit. Aty ka qenë dhe policia dhe e kanë marrë në pyetje. E shikoni pra, si ra kjo punë. Hajduti tha që ishte me çunin tim për në Derven, por ndërkohë çuni im ka qenë këtu në shtëpi.