Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përkujtoi Kolonel Tahir Zemajn, në 16 vjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa tha se sot përkujtojnë me respekt të veçantë jetën dhe veprën e heroit të Kosovës, Tahir Zemaj, ushtarak me profesion, luftëtar e udhëheqës i dalluar në luftën e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, i cili u shua në kohë paqeje.

“Tahiri, që gëzonte të gjitha cilësitë njerëzore, kombëtare e profesionale që i duhen një ushtaraku të shquar, u dekorua me ‘Medaljen e Artë të Nënës Terezë’ nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ‘Heroi i Kosovës’ nga Presidenti Sejdiu dhe ‘Nderi i Kombit’ nga Presidenti Nishani. Tahiri ishte figurë kyçe në Forcat e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të themeluara nga Qeveria që vepronte në emigrim, me miratimin e Presidentit Historik Ibrahim Rugova i cili qe shprehur ‘Kolonel Zemaj ishte një burrë i madh i Kosovës që punoi për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Ai është shembull i ushtarakut me kulturë shtetërore, gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur e nderuar vendin e vet. Njerëz të tillë i duhen Kosovës edhe në kohë të paqes’”, tha Musafa.

Tahiri bashkëpunoi ngushtë me Ahmet Krasniqin, Ministër i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe bashkërenditi aktivitetet ushtarake së bashku me Sali Çekajn.

“Sot përkujtomë veprat dhe fitoret ushtarake më të dalluara të Tahirit si ajo e Loxhës, Llukës, Junikut, lugut të Baranit dhe shpëtimit të banorëve nga masakra e përgatitur në rrethimin e Isniqit në 1998”.

“Tahir Zemaj qe vrarë në një moment prite në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003 kur vetura e tij ishte goditur pamëshirshëm nga një breshëri plumbash duke ia marrë jetën Tahirit, të birit të tij Enisit dhe kushëririt të tij, Hasanit. Vrasësit e tij kurrë nuk u gjetën e nuk u dënuan nga organet e drejtësisë”, është shprehur Mustafa.