Po kalon dita e dhjetë e kryqëzimit të të dhënave nga KSHZ-ja kurse deri në këto momente, nuk ka konfirmim zyrtar nga Institucioni në fjalë se kur ky proces do të mbarojë. Sipas Rregullores së miratuar për metodologjinë, për qasje të plotë, ndryshimin dhe fshirjen e të dhënave nga Lista e Zgjedhësve KSHZ-ja ka kompetencë të plotë për azhurnimin e të dhënave të listës.
RREGULLORJA E PUNËS SË KSHZ-SË
Neni 4
Komisioni Shtetëror Zgjedhor, azhurnimin e bën:
Sipas detyrës zyrtare duke u bazuar në të dhënat e librave amë, evidentimit të vendbanimit dhe nënshtetësisë të Republikës së Maqedonisë, evidencave të tjera zyrtare dhe inspektimit të drejtpërdrejtë,
Me kërkesë të qytetarëve, duke u bazuar në kartë identiteti ose pasaportë,
Me kërkesë të partive politike bëhet fshirja e personit të vdekur ose personit që për çfarëdo arsye e ka humbur të drejtën e votës, me paraqitjen e dokumenteve për person të vdekur ose personit që e ka humbur të drejtën e votës, duke bërë kontroll paralel të të dhënave nga librat amë, të dhënave të vendbanimit dhe nënshtetësisë në Republikën e Maqedonisë, evidentimit të të dhënave të tjera zyrtare.
KSHZ-ja shqyrton kërkesën në afat prej tre ditësh dhe vendimi i kthehet kërkuesit. Sipas rregullores, pas hyrjes në fuqi të vendimit, sektori përkatës ose zyra e KSHZ-së deri te e cila është bërë kërkesa, të dhënat për fshirjen (me sqarim të detyrueshëm për arsyen dhe dokumentin e fshirjes) i vendos në Formularin përkatës te Sektori për Listën e zgjedhësve i cili realizon fshirjen e personit të caktuar nga lista e zgjedhësve. Ndërkohë LSDM-ja madje ka promovuar një linjë telefonike ku qytetarët të mund të paraqesin parregullsi për të cilat nga kjo parti thanë se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për të parashtruar ankesa në KSHZ.
“Do të doja t’i informoj qytetarët se kemi hapur një linjë të posaçme telefonike në të cilën ata do të mund të paraqesin parregullsitë në listën e zgjedhësve. Ai është numri 02/3293 109”, deklaroi Damjan Mançeski, LSDM.
Disa nga njësitë rajonale të KSHZ-së të cilat i kontaktuam thanë se numri i ankesave të paraqitura deri tani nga qytetarët është i vogël. Kryqëzimi i të dhënave ishte paraparë të zgjaste 7 deri në 10 ditë edhe atë duke filluar nga java e kaluar.