Blerim Kuçi ka thënë se Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova ka dialoguar edhe me Sllobodan Millosheviqin në kohën e luftës. Ka thënë se është e pakuptueshme pse tash Isa Mustafa po refuzon të bëhet pjesë e dialogut për ta ndihmuar Kosovën. Sekretari i AAK’së e pyet Kryetarin e LDK’së nëse do të qëndrojë në Kosovë bashkë me LDK’në kur të arrihet Marrëveshje Finale me Serbinë.

Një ish-zyrtar i lartë i LDK’së e ka kthyer në kujtesë kohën kur Ibrahim Rugova me partinë e tij kishin pranuar të dialogonin edhe me Slobodan Millosheviqin vetëm pse kështu kërkohej nga amerikanët.

Këtë fakt e ka përmendur Blerim Kuçi, aktualisht deputet i AAK’së, kur i është përgjigjur akuzave të fundit të Isa Mustafës se Qeveria ka dështuar, është mbipopulluar me këshilltarë dhe e ka lënë Veriun pa ligj për ta vendosur në pazar me Serbinë.

Ish-Shefi Ekzekutiv i LDK’së ka thënë se është i habitur qysh udhëheqja aktuale e Partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova ende nuk po bëhet pjesë e dialogut në marrëveshjen finale me Serbinë.

“LDK me njëfarë mënyre ka qenë pjesë e dialogut edhe në kohën e Milloshevicit. Në kohën e Millosheviqit, së paku ka pasur tema të dialogut edhe në atë kohë. Pas garancioneve ndërkombëtare, LDK ka marrë pjesë në të gjitha proceset e dialogut”.

Ibrahim Rugova ishte takuar në Beograd me Sllobodan Millosheviqin në maj të vitit 1998, në kohën kur në Kosovë ishte gjendje lufte. Takimi ishte ndërmjetësuar nga diplomati amerikan, Richard Holbrooke në këmbim të një vizite në Shtëpinë e Bardhë dhe një takim me Presidentin e atëhershëm Bill Clinton.

Aktualisht, LDK është në opozitë dhe ka refuzuar të marrë pjesë në bisedimet me Serbinë. Ka kërkuar fillimisht zgjedhje e pastaj vazhdim të dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja dhe SHBA’ja. Partia e Rugovës kishte qenë pjesë edhe e negociatave në Rambuje, Vjenë e Bruksel.

Zyrtari i lartë i AAK’së e ka pyetur Isa Mustafën se a do të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë kur të arrihet marrëveshje finale me Serbinë.

“Mosguximi për të marrë pjesë në dialog është një ikje nga Kosova”, ka thënë ai për Express.

Sipas tij, do të jetë i pakuptimtë vazhdimi i qëndrimit të Isa Mustafës dhe LDK’së në Kosovën e pasmarrëveshjes nëse s’marrin pjesë në fazën finale të Dialogut me Serbinë.

“Si Kryetar i LDK’së, Isa Mustafa a do të jetojë në Kosovën e pasdialogut? Është një lloj ikjeje, ‘exiti’ nga Kosova nëse nuk janë brenda në proces. Isa Mustafa dhe LDK a do të jetojnë në Kosovën e pas këtij dialogu. Për me jetu në Kosovën e pas dialogut është e pakuptimtë mos me marrë pjesë në dialog. Është një lloj ‘exiti’ nga kjo Kosova e pas dialogut nga ana e Isa Mustafës dhe LDK’së”, ka thënë Kuçi.

Ish-Kryetari i Suharekës ka thënë se nëse LDK vazhdon të mos marrë pjesë në dialog atëherë përfundimisht kjo parti shkëputet nga kursi i Ibrahim Rugovës dhe LDK’së së dikurshme.

“Edhe ne si AAK, si opozitë, kemi marrë pjesë në dialog. Vetëm një herë ndodh, nëse dëshirojnë të rrisin kualitetin e dialogut, duhet të marrin pjesë në dialog. Ikja nga dialogu është një lloj paguximi dhe ndryshim kursi të LDK’së dhe Ibrahim Rugovës”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i AAK’së ka thënë se e kupton rikthimin e Isa Mustafës me akuza në drejtim të Ramush Haradinajt. Ka thënë se kryetari i LDK’së po bëhet gati për të garuar edhe një herë për Shef të Partisë së Rugovës dhe se ky rikthim i Mustafës është normal por jo edhe pjesëmarrja e LDK’së në dialog.

“Por, këto deklaratat e Isës janë një lloj parapëgatitjeje për garim në LDK. Është çështje e tyre, por mos me marrë pjesë në dialog, kjo është e çuditshme”, ka shtuar ai.

Isa Mustafa e akuzoi sot Qeverinë e Kosovës se ka lënë Veriun e Kosovës pa ligj, meqë nuk po shpallen zgjedhjet në katër komunat pa kryetarë. Madje, tha se një gjendje e tillë po lihet për ta bërë Veriun e Kosovës pjesë të pazareve me Serbinë.

Blerim Kuçi ka thënë se Mustafa s’mund të krahasohet me Ramush Haradinajn as sa i përket Veriut të Kosovës. Ka përmendur marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që ishte nënshkruar në kohën e tij e ku disa komunave u jepeshin kompetenca ekzekutive.

“Sa i përket pjesës tjetër, s’po di, por është njohur marrëveshja kur e ka bërë si Kryeministër. Ai s’mund të krahasohet me kutin e Haradinajt”, ka shtuar ai.

Partia aktuale e Blerim Kuçit dhe LDK’ja dikur kanë qenë në bashkëqeverisje kur Ibrahim Rugova kishte bërë Ramush Haradinajn Kryeministër, në vitin 2004.

LDK dhe AAK kishin tentuar të formimin Qeverinë e Kosovës në zgjedhjet e parafundit, kur ishin bashkuar kundër PDK’së, e cila kishte dalë e para në zgjedhje. Atëherë, Isa Mustafa kishte prishur marrëveshjen me AAK’në dhe kishte shkuar në Qeverinë me PDK’në në këmbim të pozitës së Kryeministrit.

Edhe në zgjedhjet e fundit, Ramush Haradinaj fitoi pozitën e Kryeministrit në një koalicion parazgjedhor me PDK’në, të cilën e kishte akuzuar për dhjetë vjet se i ka sjellë Kosovës krim, korrupsion e të këqija.

Lidhja Demokratike është partia e parë në Parlament kurse AAK’ja e pestë.

Ramush Haradinaj deri më tash nuk i është përgjigjur akuzave të Isa Mustafës dhe as LDK’së.