Shkruan: Albion Memeti, gazeta Lajm

“Kujt i pengon Sekretariati për implementin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO)?”. Kësaj pyetje që e ngriti anëtari i kryesisë qendrore të BDI-së Rafis Aliti, në intervistën për gazetën Lajm, ende nuk i është përgjigjur asnjë nga deputetët e kësaj partie që inicuan Ligjin për shuarjen e Sekretariati për implementin e Marrëveshjes së Ohrit dhe themelimit të Ministrisë për sistem politik dhe raporte mes komuniteteve.

Dy ditë pasi Aliti bëri thirrje që nisma ligjore të diskutohet brenda organeve partiake para se të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, nuk jepen informacione nëse drejtuesit e BDI-së kanë caktuar mbledhje për të diskutuar këtë çështje.

Rafis Aliti i njohur si komandant “Mësuesi”, ka qenë disa mandate deputet i BDI-së dhe nënkryetar i Kuvendit.

Ai të shtunën doli hapur kundër idesë për shuarjen e Sekretariatit për implementin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO), pasi vlerëson se dokumenti paqësor që i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001 ende nuk është zbatuar në tërësi.

Kundër kësaj nisme ligjore të deputetëve të BDI-së, Aliti thotë se janë një pjesë e strukturave të partisë që kryesisht kanë qenë pjesë e UÇK-së në vitin 2001, shkruan gazeta Lajm.

Ai sqaron se në kohën kur ishte themeluar Sekretariati, ideja ka qenë që drejtuesi i saj të jetë nënkryetar i vetëm i Qeverisë i cili do ta zëvendësonte kryeministrin.

Aliti, bën thirrje që nisma për shuarjen e SIMO-s që u themeluar me shumë sakrificë, të diskutohet brenda organeve partiake dhe të analizohet mirë.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar në tërsi, në disa sfera ka ngecje. Është fakt se është bërë avancim i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe por, nuk kemi përdorim të saj në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Ne kemi një komunitet për marrëdhënie ndër etnike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë që i bëhen opstrukcione gjatë gjithë kohës dhe ai komunitet do të ishte dhoma e dytë në Kuvend që do të merrej me çështjet politike në Republikën e Maqedonisë. Nuk është vetëm Ligji i gjuhës, përfaqësimi i drejtë nuk ka arritur atë nivel që shqiptarët të jenë në të gjitha institucionet mbi 25%, përkundrazi ne ende e kemi përfaqësimin në disa institucione 18% apo 15% por, kemi institucione të cilat vazhdojnë të jenë etnikisht të pastërta, ku shqiptarët nuk kanë qasje apo nuk ka asnjë të punësuar shqiptarë. Pikërisht për këtë e them që shqiptarët duhet të kenë zëvendës kryetarin e Qeverisë për implementimin e marrëveshjes së Ohrit” tha mes tjerash anëtari i kryesisë qendrore të BDI-së, Rafis Aliti.