Protestat e Opozitës në Kosovë nuk janë goditje ndaj Qeverisë së Kosovës, por ndaj Qeverisë së Serbisë ka thënë ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një takim me mbështetësit e Vetëvendosjes në Tiranë, duke shtuar se “ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër nesh”.

“Nuk është çështja se çfarë i kemi dhënë qeverisë së Kosovës, por i kemi dhënë goditje të fuqishme Serbisë. Këtu konsiston opozita e bashkuar e Kosovës”, ka thënë Kurti, njofton Shqiptarja.com.

Gjatë fjalës së tij, Kurti shtoi se ajo që po ndodh në Kosovë, është e njëjta politikë e Serbisë e ndjekur edhe ndaj Bosnjës.

“Serbia nuk imagjinon barazinë me shqiptarët. Nga pabarazia vjen shtypja politike. Nuk po ndodh asgjë e re se në fakt politikën e saj karshi Bosnjës po e bën edhe në Kosovë. Millosheviqi e pranoi Bosnjën jashtë Serbisë, kur lideri i atëhershëm e pranoi Serbinë brenda.

“Kjo po riprodhohet në Kosovë”,u shpreh ai.

Sipas tij, korrupsioni i politikanëve vendas është faktori kryesor se përse qeveritë e pasluftës në Kosovë, janë treguar zemërgjera me Serbinë.

Kurti është shprehur po ashtu se Bashkimi Europian po kërkon distancimin e Serbisë nga Rusia dhe kjo sipas tij është më e rëndësishme sesa Kosova sovrane.

“BE e ka më të rëndësishme që Serbia të distancohet nga mëmësia sesa Kosova të bëhet sovrane. Është më e rëndësishme që Serbia ta zbusë lidhjen me Rusinë. Ne pajtohemi në këtë pikë me Bashkimin Europian. Sa më e dobët Rusia në Ballkan aq më mirë edhe për shqiptarët”, tha ish lideri i Vetëvendosjes.

Por sipas tij dobësimin e Rusisë në Ballkan nuk duhet ta paguajnë shqiptarët.