Liridona Zeneli

Sot nuk duhej të protestojnë vetëm studentët shqiptarë. Sot duhej të protestojnë gjithë shqiptarët. Mirëpo jo në Tetovë, në adresë tjetër. Duhej të protestojnë në Shkup, para Kuvendit të Maqedonisë. Aty ku po amnistohen terroristët e 27 prillit, në heshtje larg syve të opinionit. Athua qëllimi i dikujt ishte që sot të organizohen protesta të studentëve shqiptarë në Tetovë, me qëllim që amnistia e terroristëve të 27 prillit të kalojë pa asnjë reagim? Kjo pyetje patjetër duhet të parashtrohet, kurse përgjigja më e mirë ndoshta vjen nga pjesëmarrja e vogël e studentëve në protestë.
Kush i ka borxh VMRO-së dhe duhet patjetër të ja amnistojë huliganët e 27 prillit le ta bëjë këtë, por mos të përpiqet të keqpërdorë studentët shqiptarë për të fshehur turpin e tyre.
Studenti shqiptarë është asociacioni më i afërt i çështjes kombëtare. Studentët shqiptarë u kanë parapri jo vetëm proceseve arsimore te shqiptarët, por edhe proceseve kombëtare. Për këtë arsye e ka të kotë gjithkush që mendon se mund t’i keqpërdorë studentët, për të fshehur amnistimin e huliganëve, respektivisht “vrasjen e dytë të Zijadin Selës”? A nuk ëhstë ide e poshtër që protestat e studentëve të shfrytëzohen për kamuflim të votimit të amnistisë për terroristët e dyshuar që sulmuan Kuvendin dhe deputetët?

Pastaj, kush po i fryen idesë se studentët shqiptarë duhet të protestojnë vetëm në Tetovë, kur politikat arsimore bëhen në Shkup? Ja një pyetje tjetër që kërkon përgjigje të shpejtë. Ka edhe shumë pyetje tjera.
Pse pikërisht tani nxiten studentët në protesta, në kohën kur partia ka humbur ndikimin në UT e UEJL dhe në kohën kur apostafat u hap një universitet i ri për të shërbyer si çerdhe e partisë, praktikë që e ndërprenë rektorët Ameti e Bexheti? Pse nuk organizohen protesta të studentëve në Shkup, para universitetit që u hap apostafat për të shërbyer si “inkubator” për kultivimin dhe strehimin e kuadrove të partisë?