Piloti i avionit Boeing 737 Max 8, i cili u rrëzua të dielën në Etiopi duke vrarë 157 persona, njoftoi probleme të kontrollit të fluturimit, ndërsa pilotë të tjerë në SHBA kanë paraqitur të paktën pesë ankesa kohët e fundit rreth sistemeve të kontrollit.
Kutitë e zeza të avionit do të dërgohen në Evropë për t’u analizuar, njoftoi të mërkurën një zëdhënës i kompanisë ajrore “Ethiopian Airlines”.

“Do të shkojnë në Evropë dhe sot ose nesër do të vendoset se cili shtet do t’i marrë kutitë”. tha Asrat Begashaw për agjencinë “Reuters”.

Zoti Begashaw tha se piloti i kishte raportuar probleme me kontrollin e fluturimit dhe kishte kërkuar të kthehej në Addis Abeba (kryeqyteti i Etiopisë), nga ishte nisur drejt Nairobit.

Tragjedia e së dielës ka shkaktuar një reagim botëror ndaj avionëve Boeing 737 Max 8, duke sjellë për pasojë ndalimin e udhëtimit për dy të tretën e tyre nga autoritetet e aviacionit apo kompanitë ajrore.

Në muajin tetor, një avion i të njëjtit model u rrëzua në Indonezi disa minuta pas ngritjes, duke vrarë 189 persona dhe duke shkaktuar shqetësime lidhur me sistemet e automatizuara të fluturimit. Zoti Begashaw tha se piloti ishte trajnuar pas rrëzimit që ndodhi në tetor me avionin e linjës “Lion Air”.

“Ata ishin të trajnuar, manuali ishte përditësuar dhe ishte kryer trajnimi simulues”, tha ai.

Sipas tij “Ethiopian Airlines” do të shqyrtojë se çfarë do të bëjë lidhur me një porosi për të tjerë avionë Boeing 737 MAX 8, pas përfundimit të hetimeve paraprake, por tha se marrëdhëniet me kompaninë Boeing mbetën të ngushta.

“Janë shumë të mira, të paprekura dhe madje aktualisht ata janë këtu për të na mbështetur. Marrëdhënia është gjashtë dekada e vjetër”, tha ai.