Faza e tretë dhe e fundit e ndryshimeve kushtetuese ndodhet për miratim në Kuvendin e Maqedonisë, dhe nëse kalon me dy të tretat e nevojshme të votave, rrumbullakohet zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit, shkruan REL.

Deputetët duhet të votojnë amendamentet që parashohin me këtë Marrëveshje për emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, si dhe zëvendësimin e të gjithë mbi mbiemrave maqedonas në Kushtetutë me emrin Maqedonia e Veriut.

Por, miratimi i tyre deri në momentin e fundit mbetet i paqartë për shkak të kërkesave të opozitës shqiptare, kryeministri Zoran Zaev të martën ka takuar kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ndërsa më parë edhe atë të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dy parti këto opozitare që kanë kushtëzuar katër votat e tyre me pranimin e disa amendamenteve, me të cilët pretendojnë të përmirësojnë pozitën juridike të shqiptarëve në Kushtetutë.

Kryeministri Zaev tha se ka pranuar kërkesat e partisë së Zijadin Selës që ka të bëjnë me preambulën, diasporën dhe tjetrën me Kosovën e cila tani në Kushtetutë do të jetë shtet fqinj i Maqedonisë, pasi deri tani ajo nuk figuronte në aktin më të lartë juridik në vend.

“Fjalia e parë e Kushtetutës, preambula do të heq padrejtësinë e definimit të gjërave, në formën e dy kategorive të qytetarëve, që i bën qytetarët më të barabartë dhe gjithsecili sheh veten më të përfaqësuar në Kushtetutë”, ka deklaruar kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Sa i përket kërkesës tjetër për gjuhën shqipe, Sela tha se ajo për momentin është e parealizueshme, por se nuk do të heqë dorë që në të ardhmen edhe kjo kërkesë të plotësohet e që ka të bëjë me zëvendësimin e termit, gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, me termin adekuat, gjuha shqipe./REL