Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ka reaguar pas lajmit se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka 35 këshilltarë, ndërkaq, zëvendësministrat nga 11 të tillë duke e krahasuar qeverinë e Kosovës me atë të kohës kur në Britani udhëhiqte David Cameron.

Sa për krahasim, ka shkruar Hamiti, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në kohën e Kryeministrit Cameron, kohë kur Hamiti ishte ambasador në Londër, ka pasur gjithsej 68 këshilltarë politikë.

Sipas tij, ministrat kanë pasur nga dy, ministri i mbrojtjes një, ministri i jashtëm tre.

Hamiti ka shtuar se më së shumti këshilltarë ka pasur ministri i financave.

Dje është bërë e ditur se zyra e kryeministrit ka vendosur ta shtojë numrin e këshilltarëve politik.

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka marrë vendim që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë, pos kësaj edhe 9 nga komunitetet.

Në total Haradinaj pritet t’i ketë 24 këshilltarë politikë, që pas vendimit për rritje të pagave ata paguhen 1340 euro. 24 këshilltarët e kryeministrit pritet të marrin 32.106 euro në muaj, e 385.920 euro në vit.

Zyra e Kryeminstrit ka bërë të ditur se i ka edhe 11 këshilltarë të jashtëm, por, që nuk paguhen nga buxheti. Së bashku me ta Haradinaj ka afër vetes 35 këshilltarë.