Sot kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thirrur takimin koordinues për Dialogun Kosovë-Serbi. Takimi pritet të mbahet sot në orën 11:00, në Kuvendin e Kosovës.

Siç u bë e ditur, të ftuar janë Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Ekipi Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga opozita, LDK dhe VV.

Por ftesës së tij s’do t’i përgjigjen as LDK-ja e as VV-ja.

LDK-ja nuk e ka në plan të marrë pjesë në këtë takim, ku të ftuar janë edhe presidenti, kryeministri dhe Ekipi negociator. Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se nuk do të bëhen pjesë e një përpjekjeje për të legjitimuar një proces që, sipas saj, po e dëmton Kosovën.

As Vetëvendosja nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Këtë e ka konfirmuar deputetja Albulena Haxhiu për Koha.net, po atë ditë kur Veseli e bëri ftesën. Ajo tha se Kadri Veseli, përveç tjerash është edhe figurë kontraverse, dhe thirrjen e tij e quan të kotë e pa asnjë vlerë.

“Herë shpif ulët për LV-në e herë bënë ftesë për tryeza. Nuk kemi qenë të pranishëm ndonjëherë në këto tryeza të kota që thërret Kadri Veseli e që janë në shërbim të tij dhe të Hashim Thaçit dhe as që e kanë qëllimin e unifikimit, pra nuk do të marrim pjesë as të hënën”, tha Haxhiu.

Ajo tutje në përgjigjen për Koha.net tha se figurat përçarëse si Thaçi e Veseli nuk sjellin unifikim, e siç tha ajo, është jologjike dhe absurde të besosh në diçka të tillë.

“Ne nuk bëhemi pjesë e pazareve që i kanë nisur në raport me negociatat, përkundrazi do t’i kundërshtojmë fuqishëm. Kadri Veseli ka më shumë se 6 muaj që e mban peng dhe nuk e procedon në seancë raportin e proceduar nga Qeveria mbi sfidat dhe arritjet në procesin e negociatave me Serbinë, pra në vend që ta mundësoj këtë debat, ai thërret tryeza të tilla koti, pra pa asnjë vlerë. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë sepse një ditë më shumë e kësaj Qeverie pa legjitimitet e të skandaleve dhe një President me ide të rrezikshme, është dëm i madh për vendin dhe qytetarët”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Është hera e dytë që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fton krerët institucionalë dhe përfaqësuesit e opozitës në një takim të përbashkët për t’u koordinuar për dialogun, pas formimit të grupit negociator që udhëhiqet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

LDK -ja dhe Vetëvendosje nuk janë pjesë e ekipit.