Derbi i Los Angelesit mes Lakers dhe Clippers, ishte kryefjala e mbrëmjes në NBA. LeBron James më shokë pësuan humbjen e tretë radhazi 105-113, duke iu larguar edhe më shumë zonë play off, ndonëse kanë mbetur edhe shumë sfida deri në përfundim të sezonit të rregullt.

U mundua të merrte gjithçka përsipër “Mbreti” James, që shënoi në total 27 pikë, por as njëri prej basketbollistëve më të mirë të historisë së NBA-së dhe as “trple-double” i Rajon Rondo: 24 pikë, 12 asiste dhe 10 “rebound”, nuk mjaftuan përballë rivalëve ndërqytetas. Më i miri për Clippers rezultoi italiani Danillo Gallinari me 23 pikë dhe 6 topa të kontrolluar poshtë koshit në vetëm 28 minuta lojë.

Denver Nuggets zyrtarisht në krizë pas humbjes së tretë radhazi, të marrë në parketin e San Antonio Spurs me rezultatin e ngushtë 104-103. Skuadra e Popovich e vuri që në fillim në vijë sfidën, duke krijuar një avantazh prej 19 pikësh në periodën parë (36-17), ndërsa në periodën e fundit e nisën me një epërsi prej 16 pikësh, por në sekondat e fundit e rrezikuan seriozisht fitoren. DeRozan dhe Aldridge udhëhoqën teksanët drejt këtij suksesi respektivisht me 24 dhe 22 pikë, ndërsa për Denverin rezultuan të kota përpjekjet e Murray, që e mbylli takimin me 25 pikë, dhe të Nikola Jokicit  me “double-double”: 22 pikë e 10 “rebound”.

Humbje e papritur (e dyta radhazi) e kryesuesve të Lindjes, Milwaukee Bucks, në fushën e Phoenix Suns 114-105. Skuadra nga Arizona i befasoi miqtë me një periodë të katërt të shkëlqyer, ku u shënua një rezultat i pjesshëm 38-23. Paraqite mbresëlënëse e Kelly Oubre Jr., që shënoi 27 pike  dhe kontrolloi 13 topa, ndërsa Devin Booker dha kontribut me 22 pikë. Për Milwaukee ishin shumë pak 21 pikët dhe 13 “rebound” të Giannis Antetokounmpo.

Rezultatet:

Brooklyn Nets – Dallas Mavericks 127-88

Miami Heat – Atlanta Hawks 114-113

San Antonio Spurs – Denver Nuggets 104-103

Phoenix Suns – Milwaukee Bucks 114-105

Utah Jazz – New Orleans Pelicans 112-115

Sacramento Kings – New York Knicks 115-108

Los Angeles Lakers – Los Angeles Clippers 105-113