Zotërinj,
Kjo nuk është hera e parë që ju shkruaj, e as ky është dimri i parë që unë dhe bashkëvendësit e mi përballime me dritë-terrin tuaj përbuzës, nënçmues e shantazhues që na e ofroni. Dhe ka katër ditë që lajmërohem në ‘koll’ qendrën tuaj dygjuhësore, që të më shpjegojnë pse më është ndalur furnizimi me rrymë elektrike, apo pse kur kam rrymë në banjë, nuk kam në dhomën e fjetjes, kur kam në dhomën e fjetjes, më ndalen dritat në at të ndenjes , kur më punon frigoriferi nuk ka burim elektrik televizori…, pra pse duhet të jetojmë me kabllon e vazhduar në dorë për t’i shpëtuar pajisjet elektrike nga shkatërrimi i plotë. Por gjatë gjithë këtyre katër ditëve, nuk kam marr asnjë përgjigje të qartë pse përballemi me këtë problem.
Në ndërkohë kam marr përgjigje jozyrtare që thonë se:
– ju nuk ndërmerrni asgjë ndaj kësaj dukurie duke u arsyetuar se ekipet tuaja janë të rrezikuar nga bashkëvendës të mi për ta riparuar defektin, por unë mendoj se kjo nuk është e vërtetë, se ju gënjeni, sa për ta mbuluar shantazhin që na e bëni, sa për ta fshehur dënimin kolektiv që ndërmerrni ndaj nesh, apo për të na shpallur to gjithëve ‘shpellarë’ e ‘hajdut’ të pandreqshëm që nuk njohin as ligj as rend:

– ju e ndërprisni furnizimin elektrik në vendbanimin tonë pse është i madh numri i atyre që nuk i paguajnë rregullisht faturat, gjë që mund to jetë e vërtetë, por që më çon të dyshojë se ndoshta kështu doni të nxitni konflikt fizik mes neve që rregullisht i paguajmë faturat dhe ‘hajdutëve’ e që pastaj ju, si kompani humane që jeni, t’i paguani harxhimet për t’i shëruar plagët që do ia shkaktojmë njëri tjetrit?

Ngaqë nuk kam marr nga përgjigje të saktë pse e jetojmë terrin me të cilin na dënoni, nuk kam si mos u besoj përgjigjeve logjike që më imponohen se:

– na përbuzni, nënçmoni e shantazhoni ngaqë e dini se jetojmë në shtet me pushtetarë që shiten e blihen si çdo mall tjetër, e andaj këtu nuk ka kush e mbron qytetarin nga kompanitë shantazhuese, por ka kush e mbron ‘monopolin’ e kompanive siç jeni ju:

– nuk na përfillni, na përbuzni e na shantazhoni sepse e dini se revoltën tonë nuk do mund ta shprehim as nëpërmjet medieve që përballen me probleme financiare e ku ju, e të cilave keni arritur t’ua mbyllni gojën, me ato pak reklama të paguara për veprimtarit tuaja ‘humanitare’ e mbështetëse për kulturë artë:

– na përbuzni, na nënçmoni e na shantazhoni pse e dini se edhe në një proces gjyqësor kundër jush, avokatin do e paguani me paratë tona, e ne do kalbemi nëpër gjykata duke mos pasur asnjë dëshmi me shkrim pse nuk na furnizoni me rrymë elektrike:

Kam edhe shumë përgjigje tjera logjike pse ju silleni me ne kështu, por megjithatë ka diçka që më lëndon më shumë se sa sjellja juaj: se ne u bëmë ‘hajdut’ e pagues të rregullt të rrymës elektrike, por jo edhe ‘qytetarë’ të denjë të cilët nuk do mblidhen qosheve, të akuzojnë njëri tjer8n se cili është fajtor për këtë mjerim tonin, por ashtu siç na barazon EVN’ja, edhe ne ‘hajdut’ e pagues të rregullt to faturave elektrike, të bëhemi bashkë, ta rrethojmë selinë e kësaj kompani, e të mos largohemi nga aty përderisa drejtuesit e saj nuk na shpjegojnë pse tallen me ne.

Pra mua më dhemb pse nuk u bëmë qytetarë, për shembull, si ata të Francës, që shtatë cent e ‘kallin’ shtetin , apo si ato të Bullgarisë fqinje, të cilët para disa vitesh, për probleme më të vogla se tonat, ia ‘dogjën’ bishtin EVN-së së atjeshme.

Pyetja publike për ministrin e Punëve të brendshme, z. Oliver Spasovski është kjo: pse – me të drejtë- kur cenohen interesat e EVN-së, ministria juaj asaj i ofron mbështetje policore që ta mbrojë nga qytetarët, e nuk bëni të njëjtën kur drejtuesit e kësaj kompanie na përbuzin, na nënçmojnë, na shantazhojnë e na dënojnë kolektivisht neve qytetarëve të këtij shteti. Dhe pse nuk na ofrohet mbrojtje policore nga drejtues kompanish që madje duan të nxitin konflikt fizik mes neve që rregullisht ii paguajmë faturat e rrymës elektrike dhe ata që nuk paguajnë fare?

Dhe sa nuk kam harruar: e falënderoj EVN-në që megjithatë nuk na e ka ndalur ndriçimin rrugor, që e shpalos dyfytyrësinë e kësaj kompanie ‘bamirëse’: na i ndriçon rrugët për të shkuar nëpër kafene, por na i le në terr dhomat ku fëmijët tanë duhet të lexojnë e të shkruajnë.

Duke mos dashur të del se dua ta reklamoj vetveten dhe nga turpi që jam i detyruar kështu te komunikoj me ju, këtë letër nuk do e nënshkruaj me emrin dhe mbiemrin tim, por me një nga katër numrat që i kam te regjistruar si shfrytëzues në kompaninë tuja. Dhe ju lutem, nëse ua kërkon,të dhënat e mia personale lirisht t’ia jepni edhe Ministrit të Punëve të Brendshme, y. Spasovski.

Shfrytëzuese Nr. 001355267