Lideri i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se 2018-a ka qenë vit i vështirë për shtetin e Kosovës, ndonëse vendi ka arritur ta bëjë hapin e madh drejt unifikimit dhe unitetit për procesin e dialogut.
Në një intervistë për Epokën e Re, Limaj ka thënë se kthimi i dialogut në Kuvend është hap drejt unifikimit të faktorit politik të Kosovës për zgjidhjen e problemit me Serbinë.

“Që nga fillimi ky koalicion është ballafaquar me disa tema shumë të rëndësishme të së kaluarës, të cilat në një mënyrë apo tjetër e patën bllokuar vendin dhe e patën futur në një ngërç politik. Demarkacioni me Malin e Zi ka përfunduar, po ashtu si asnjëherë më parë ka pasur një interesim të veçantë të kësaj qeverie në ekonomi, e posaçërisht në promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Te dialogu arritëm që në fund të kemi një delegacion shtetëror, pra ta kthejmë dialogun në Kuvendin e Kosovës. Kthimi i dialogut në Kuvend është një hap i madh drejt unifikimit të faktorit politik të Kosovës për zgjidhjen e kësaj teme të madhe”, ka theksuar Limaj.

I pyetur se a mund të vlerësohet vit i mirë për Kosovën, dështimi me viza, mosanëtarësimi në INTERPOL, numri i vogël i njohjeve si dhe tërheqja e disa njohjeve, Limaj ka shtuar se ky viti që lamë pas ishte tejet i vështirë.

“Përjashtuar këtë çështjen e vizave, është ashtu siç po thoni ju, sepse ka qenë një vit goxha i vështirë në këto tema. Fatkeqësisht, nuk arritëm të anëtarësohemi në INTERPOL për shkak të disa shteteve te të cilat diplomacia serbe ka qenë shumë agresive, prandaj nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi. Sa i përket liberalizimit të vizave, besoj se qeveria e ka kryer punën e saj, këtë e argumenton edhe rekomandimi i Komisionit Evropian i cili i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave të BE-së heqjen e vizave, pastaj ajo temë ka mbetur çështje e shteteve veç e veç. Shteti i Kosovës e ka kryer punën e vet.

Mosrealizimi i liberalizimit të vizave ka ndodhur për shkak të hezitimit të shteteve veç e veç dhe disa prej tyre i kanë bërë publike hezitimet e disa jo, por arsyet dihen pak a shumë”, ka thënë tutje Limaj.

Zv/kryeministri ka folur edhe për udhëheqjen me ekipin negociator me Serbinë, duke thënë se tani Kosova ka një adresë të votuar nga Kuvendi, një delegacion shtetëror si bërthamë e unitetit të domosdoshëm.

“Pas këmbënguljes sime të vazhdueshme që të kemi një format tjetër të bisedimeve, pas propozimit nga Qeveria dhe kërkesës sime që të shkohet drejt Kuvendit për t’iu dhënë mundësia edhe opozitës, me kënaqësi them se kemi arritur një sukses të madh në këtë drejtim. Kemi arritur të nxjerrim një delegacion shtetëror të votuar në Kuvend, të mbështetur dhe me pjesëmarrje aktive të një grupi opozitar siç është PSD-ja. Shpresoj që rrugës do të bashkohen edhe forcat e tjera politike dhe tani jemi në një situatë krejt tjetër në raport me dialogun. Na pret një punë shumë e madhe, por besoj se Kosova me krijimin e ekipit negociator u ka dërguar një mesazh të qartë, para së gjithash partnerëve tanë, se jemi të përkushtuar për dialog sepse, fatkeqësisht, në të kaluarën ka pasur hezitime rreth asaj nëse Kosova është vërtetë e gatshme për dialog”, ka potencuar Limaj.

Ai ka bërë të ditur se në dhjetëditëshin e parë të janarit presin që të udhëtojnë për Bruksel dhe se takimi është për ta njoftuar Brukselin me delegacionin si dhe për ta treguar përkushtimin, vendosmërinë dhe seriozitetin për dialog.

Loading...