Hashim Thaçi dje ka provuar që meritat për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, t’ua delegojë ish-bashkë partiakeve të tij, Enver Hoxhajt e Kadri Veselit, duke thënë se ideja për atë vendim ishte e tyre.
Megjithatë sot nga Brukseli, zëvendësi i Ramush Haradinajt, Fatmir Limaj, i ka dhënë një përgjigje, duke thënë se vendime të tilla nuk janë individuale.

Limaj ka thënë se politikat bëhen nga koalicioni qeverisës dhe vendimet për ato politika i merr kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Vendimet shtetërore janë vendime shtetërore. Nuk ka vendime e propozime individuale. Qeveria është atje e ka një kryeministër, e ka një qeveri, një koalicion. Politikat i bon koalicioni, vendimet i merr Qeveria”, ka thënë Limaj në konferencë para gazetarëve në Bruksel.

Sipas tij kjo garë për të marrë meritat si për dialog si për çështje tjera nuk i bëjnë nderë askujt.

“Kjo garë dhe kjo logjikë e garës, si këtu për dialog, si atje. Për besë kërkun nuk na çojnë”, ka shtuar ndër të tjera Limaj.

Sa i përket deklarimeve të Hashim Thaçit të bëra në ‘Washington Post’ se Kosova është gati ta shqyrtojë heqjen e taksës, Limaj e ka përsëritur edhe një herë që taksa do të hiqet vetëm pas një marrëveshje finale që rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

“E bëmë të qartë që tashmë Kosova ka ekip, dhe jo individ. Ka ekip shtetëror. Ne e tham edhe aty, duhet të hiqen arsyet pse ka ardhur taksa. Ka shumë kushte që Serbia duhet t’i plotësojë për ta tërhequr taksën. Kjo nuk është e një anshme. Ne jemi në kushte të tilla që jetojmë me Serbinë. Ka qindra marrëveshje që Serbia nuk i ka respektuar. S’po flasim për këtë fushatën e egër kundër Kosovës. Edhe çështja e taksës në një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të ketë nevojë për taksë”, ka thënë ndër të tjera Fatmir Limaj.

Së bashku me Limajn në Bruksel ka qenë edhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti. Para gazetarëve Ahmeti ka folur edhe rreth idesë për korrigjim të kufijve, duke thënë se BE-ja e mbështet çfarëdo marrëveshje për të cilën merren vesh Kosova dhe Serbia.

“BE-ja nuk përkrah shtete etnikisht të pastërta”, ka shtuar Ahmeti./GazetaExpress/

Loading...