Mediat italiane raportojnë se Interi e ka rishfaqur interesimin për Luka Modricin dhe Toni Kroosin, derisa Real Madridi ia ka kthyer duke iu afruar Mauro Icardit.
Sipas gazetave italiane Corriere dello Sport dhe Gazzetta dello Sport, mesfushori kroat Modric nuk ka hequr dorë nga shpresa për t’iu bashkuar zikaltërve, pasi Reali e refuzoi ofertën e Interit për të në verë.

Fituesi i Topit të Artë më 2018 ka kontratë me Madridin deri më 2020, por e ka shprehur zemërimin me Real Madridin këtë sezon.

Komentet e tij pas humbjes tronditëse nga Real Sociedadi i kanë nxitur spekulimet se ai do të bëjë presion për t’u larguar në drejtim të Interit.

Raportohet se Modrici e ka refuzuar ofertën më të fundit nga Reali për rinovimin e kontratës përkundër se i është ofruar pagë vjetore prej 12 milionë euro, dhe se është i gatshëm të pranojë pagë më të ulët vjetore, 10 milionë euro, në Inter.

Ai nuk është i vetmi që e dëshiron largimin nga kryeqyteti spanjoll, pasi mesfushori gjerman Kroos është në radarin e Interit për sezonin tjetër, po ashtu.

E si kundërpërgjigje, shkruajnë gazetat italiane, presidenti i Madridit Florentino Perezi është duke synuar t’ia rrëmbejë Interit njeriun kryesor, Mauro Icardin.

Icardi është ende në bisedime të vështira me Interin për kontratë të re dhe ekzistojnë mospajtime rreth pagës. Ai po ashtu ka klauzolë lirimi në kontratën e tij me zikaltrit, në vlerë 110 milionë euro, edhe pse ajo mund të aktivizohet vetëm nga 1 deri më 15 korrik.