Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shprehet se në këto 30 vite Parlamenti më i mirë ishte ai i viteve 2001-2005.

Manjani vlerëson ish kryeministrin Fatos Nano duke theksuar se ky i fundit nuk mund të bënte asnjë emërim pa pëlqimin e deputetëve.

“E gjithë kjo arritje erdhi për meritë ekskluzive të demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste. Kjo demokraci e PS solli një sjellje demokratike të institucioneve, por edhe dialog real politik me opozitën. Këtë demokraci të PS, Edi Rama e shpalli Telenovelë dhe e fshiu nga faqja e dheut dhe nga historia e PS”, shprehet ish ministri, ndërsa thekson se fjalimi që i ka mbetur në memorie është ai i Ben Blushit.

Komenti i plotë:

Nga parlamenti i gati 30 viteve pa dyshim më i miri ishte ai i vitit 2001-2005.

Ai parlament kufizoi me veprime politike qeverinë dhe vendosi sundimin e Parlamentarizmit. Interpelancat e pyetjet ishin senca debati të mirfilltë;

komisionet hetimore ishin më produktivet (për herë të parë e të fundit);

emëroi tre kryeministra me kabinetet përkatëse;

nuk i votonte asnjë ministër pa u shterruar debati politik.

Kryetari i PS, Fatos Nano nuk emëronte dot as zëvendësministra, pa dakortësinë e deputetëve dhe të partisë.

E gjithë kjo arritje erdhi për meritë ekskluzive të demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste. Kjo demokraci e PS solli një sjellje demokratike të institucioneve, por edhe dialog real politik me opozitën.

Këtë demokraci të PS, Edi Rama e shpalli Telenovelë dhe e fshiu nga faqja e dheut dhe nga historia e PS.

Largoi çdo debat nga partia dhe i vetmi dialog me PD ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor që garanton mbytjen e çdo reagimi demokratik…

Ja ku është pasoja: Shqipëria është tashmë Republikë Qeveritare, jo më Parlamentare!

Ndërsa fjalimet më të mira që kam në memorie janë të Ben Blushit në fund të parlamentit të shkuar…

R.I.P Parlamentarizëm!