Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se Marrëveshja e Prespës, e arritur për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, është “shumë e madhe për dështuar”.

Dimitrov qëndroi për vizitë zyrtare në Ankara dhe në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se angazhimi që u përfshinë dhe fjalët e lavdërimit që erdhën nga e gjithë bota e bënë Marrëveshjen e Prespës të rëndësishme.

Më 11 janar, Kuvendi i Maqedonisë miratoi amandamentet kushtetuese për të ndryshuar emrin e vendit në Republika e Maqedonisë Veriore si pjesë e Marrëveshjes së Prespës.

Në qershor të vitit 2018, qeveria maqedonase dhe ajo greke nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila kërkon që Maqedonia të ndryshojë emrin e saj, ndërsa Greqia të heqë dorë nga kundërshtimi i saj ndaj Maqedonisë për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE).

Dimitrov tha se qeveria e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, së fundmi i mbijetoi votëbesimit nga parlamenti, duke shtuar më tej se, “Kështu që, mendoj se së shpejti, brenda pak ditësh, do ta shohim këtë ratifikim në Parlamentin grek”.

Dimitrov bëri të ditur se më pas në Parlamentin grek do të votohet protokolli i pranimit për Maqedoninë për t’u bashkuar me NATO-n dhe me atë ratifikim procesi do të finalizohet.

Duke e quajtur këtë proces historik, Dimitrov tha se, “Maqedonia ka humbur një gjeneratë që priste për shkak të kësaj çështje të emrit”.

Më tej, ai tha se Maqedonia është një vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005, duke u shprehur se, “Pas Turqisë, ne jemi vendi më me përvojë në pritje (për anëtarësim në BE)”.

Dimitrov tha se pas përfundimit të procesit të ratifikimit në Greqi, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të jetë më i shpejtë se anëtarësimi i vendit në BE.

“Formalisht, kjo do të bëhet (anëtarësimi në NATO), varësisht ecurive të proceseve në parlamentet e ndryshme, ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm. Por në realitet, ne do të jemi në tryezë shumë shpejt, ndoshta edhe në muajin shkurt apo mars të këtij viti”, tha Dimitrov.

Marrëdhëniet turko-maqedonase

Kryediplomati i Maqedonisë foli edhe rreth marrëdhënieve turko-maqedonase, duke theksuar se Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Maqedonisë dhe se për këtë arsye këto dy vende ndajnë një marrëdhënie të veçantë.

“Në njëfarë mase për shkak se ne kemi ndarë jetë të përbashkët për shekuj në ditët osmane dhe në njëfarë mase për shkak se ka shumë turq që kanë emigruar nga Maqedonia në Turqi”, tha ai, duke i vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve.

Aktualisht, tha Dimitrov, po ashtu ka edhe shumë turq në Maqedoni, duke shtuar se, “Ata janë të integruar mirë në shoqërinë tonë”.

Dimitrov bëri të ditur se gjatë vizitës së tij në Ankara, ai ka diskutuar me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike, duke shtuar se ai synon 1 miliardë dollarë në tregtinë dypalëshe.

Siç bëri të ditur ai, me kryediplomatin turk po ashtu ka diskutuar çështjen e refugjatëve, stabilitetin e Ballkanit dhe luftën kundër terrorizmit.

Dimitrov tha se Maqedonia është “plotësisht e vetëdijshme” për luftën e Turqisë me Organizatën Terroriste Fetullah (FETO).

“Si një mik, nëse ekziston një problem i madh për Turqinë, po ashtu është një problem edhe për ne”, theksoi ai.

Dimitrov tha se ata mirëpritën themelimin e Fondacionit Maarif në Maqedoni.

“Ata në muajin mars të vitit 2018 hapën shkollën e parë në afërsi të Tetovës dhe ky është një zhvillim që ne shumë e mirëpritëm në aspektin e cilësisë së arsimit që ofrohet dhe mendoj se më shumë do të pasojnë në këtë drejtim”, tha Dimitrov.

Turqia e themeloi Fondacionin Maarif në vitin 2016, pas përpjekjes për grusht shtet në Turqi, me qëllim për të marrë përsipër administrimin e shkollave jasht vendit të lidhura me FETO-n.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, i cili la të martirizuar 251 persona dhe rreth 2.200 të plagosur.

Ankaraja po ashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit.

FETO ka një prani të konsiderueshme jashtë vendit, duke përfshirë shkolla private të cilat shërbejnë si rrjedhë e të ardhurave për grupin terrorist.

Dialogu Kosovë-Serbi

Lidhur me një shkëmbim të mundshëm të tokës midis Kosovës dhe Serbisë, Dimitrov tha se në Evropën e bashkuar kufijtë në thelb janë të padukshëm.

“Shkëmbimet e tokës, kufijtë etnikë janë koncepte të së kaluarës”, tha Dimitrov.

Ai tha se në Maqedoni ata janë krenarë për diversitetin e tyre dhe se në këtë vend ka turq, shqiptarë, vllehë, boshnjakë dhe romë që jetojnë në vend.

“Ne mirëpresim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por ne duhet të jemi të urtë”, tha ai.

Dimitrov tha se ata ishin dëshmitarë të tragjedive njerëzore në Ballkan në vitet e 90’ta kur kufijtë etnikë u idealizuan ose lartësuar.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi insiston se vendi mbetet pjesë e Serbisë. Që atëherë, tensionet kanë vazhduar midis shumicës etnike shqiptare të Kosovës dhe një pakice të vogël serbe në veri të vendit.

Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 vende, përfshirë SHBA-të, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Turqinë.

Serbia, Rusia dhe Kina janë midis vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.