Flamuri i NATO-s tashmë valëvitet para godinës së qeverisë në Shkup, një javë pas hyrjes në fazën e fundit të anëtarësimit të pritshëm të vendit në Aleancën e Atlantikut Verior, që pritet të finalizohet në fund të vitit pasi mosmarrëveshja e hershme për emrin me Greqinë, tashmë është zgjidhur.

Kryeministri Zoran Zaev shprehu kënaqësinë që shumë shpejt vendi do të jetë pjesë e aleancës më të fuqishme në botë: “Po hyjmë në një fazë të re komplekse të ndërtimit të shtetit tonë në pajtim me standartet evropiane. Askush nuk do të na bllokojë më nga jashtë. Falë vendimit të Parlamentit tonë dhe atij të Greqisë dhe me ftesën për t’u anëtarësuar në NATO ne po marrim pjesë në punën e aleancës më të fuqishme në botë”.

Ndërkohë, në Bruksel, ku janë mbledhur ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës, gjendet për të parën herë edhe ministrja e Mbrojtjes maqedonase, Radmilla Sheqerinska. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur kënaqësinë që republika e ardhshme e Maqedonisë së Veriut tani e ka një vend në tryezën e aleancës.

Pas ratifikimit të protokolleve nga vendet anëtare në NATO, zyrtarisht Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e Aleancës. Parlamenti shqiptar do ta ndezë shumë shpejt dritën jeshile për anëtarësimin e vendit fqinj në NATO, ndërkohë që e para që e bëri këtë ishte Greqia.

Loading...