Cesare Battisti, një ish-terrorist i majtë i arrestuar në Bolivi pas 38 vjetësh në arrati, u kthye në vendlindjen e tij më 14 janar. Në aeroport e priste Matteo Salvini, ministër i Brendshëm dhe kreu i Legës, partia e djathtë në pushtet.

Ekstradimi i Battistit, – tha ai, – nuk është fundi, por fillimi. Salvini shpreson që terroristë të tjerë të dënuar që nga vitet ‘70 së shpejti të kthehen në burg.

Duke qenë se shumë prej tyre janë në Francë, presioni i shtuar së fundmi për ekstradimin e tyre kërcënon të krijojë një fërkim midis dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave tashmë janë në një nivel të ulët.

Përfshirja e Francës në Libi prej kohësh ka shkaktuar pakënaqësi midis politikanëve dhe zyrtarëve italianë, të cilët dyshojnë se përfshirja e Francës në një sferë ndikimi tradicionalisht italiane motivohet nga një dëshirë për të promovuar interesat e kompanisë së saj të madhe të naftës, Total. Por pas ardhjes në pushtet në qershor të një qeverie populiste në Romë, këto fërkime prodhuan shkëndijat e para.

Menjëherë pas betimit të koalicionit Lega- Lëvizja Pesë Yjet, Presidenti Emmanuel Macron paralajmëroi për shpërthimet e “lebrës” politike në vendet fqinje.

Salvini dhe udhëheqësi i M5S, Luigi Di Maio, ishin në atë moment të acaruar për komentin e presidentit francez, i cili e kishte përshkruar refuzimin e Italisë për të pranuar një anije me emigrantë të shpëtuar si “të pështirë”.

Di Maio tha se Franca, e cila i kishte mbyllur kufijtë e vet për emigrantët që hynin nga Italia, nuk kishte gojë ta qortonte Italinë.

E njëjta çështje u rikthye në tetor kur policia franceze u kap duke kthyer në territorin italian dy emigrantë që kishin kaluar kufirin në Alpe. Salvini e quajti Francën një “turp ndërkombëtar”.

Një tjetër çështje e përsëritur ka qenë edhe propozimi që ndërtuesi shtetëror italian i anijeve Fincantieri të merrte kontrollin e firmës franceze Chantiers de l’Atlantique, më parë STX.

Macron e pezulloi fillimisht marrëveshjen me një shtetëzim të përkohshëm të supozuar. Më pas, më 8 janar, Komisioni Evropian njoftoi se kishte pranuar një kërkesë nga Franca (dhe Gjermania) për të shqyrtuar nëse marrëveshja do të pengonte konkurrencën.

Një pjesë e problemit është se presidenti i Francës është kundërshtari i zgjedhur i populistëve të rinj të Evropës, dhe jo vetëm atyre që qeverisin Italinë.

Me zgjedhjet evropiane që priten në maj, disa figura anti-establishment po përpiqen ta përshkruajnë votimin si përballje midis liderëve të populizmit dhe ish-bankierit që sot ndodhet në pallatin Elysee. Di Maio këtë muaj ka ofruar mbështetjen e lëvizjes së tij për “jelekët e verdhë”, duke nxitur një reagim të zemëruar nga Parisi.

Mendoni se të paktën trashëgimia kulturore e përbashkët e të dy vendeve duhet të ndihmojë në qetësimin e ujërave, veçanërisht pasi sivjet është njëqindvjetori i vdekjes në Francë të mjeshtrit të madh italian, Da Vinçi? Epo,mendohuni edhe njëherë. Qeveria italiane ka penguar dhënien hua nga Uffizi të tri veprave të tij për t’u ekspozuar në Luvër në vjeshtë.