E shënoi golin debutues për Renovën. Emanneul Mbella flet për Lajm pas golit të shënuar në fitoren e thellë të Renovës në derbin kundër Vardarit, 4-0.

Ai u shpreh shumë i lumtur për golin.

“Kemi nisur mirë. Kemi fituar katër pikë nga dy ndeshje me kundërshtarë të fortë. Është kënaqësi gjithmonë të shënosh gol, por jam më i lumtur për fitoren e bukur”, deklaroi sulmuesi Mbella.

26-vjecari thotë se është përshtatur mirë në sulmin e skuadrës bardhekaltër.

“Po ndihem mirë. Renova është një ekip që luan futboll ofensivë, ndërkohë që punojmë që të jemi më konkret në sulm. Tani me Vardarin kemi luajtur mirë, por duhet edhe më konkret të jemi në fazën sulmuese”, thotë Mbella.

Sulmuesi kamerunas, me pasaportë  franceze, ka thënë se fitorja e Vardarit i takon së kaluarës dhe tani duhet t’i kthehen ndeshjes me Sileksin, për të cilët ka luajtur sezonin e shkuar.

“Tani ndeshjen me Vardarin e kemi lënë anash, dhe të vazhdojmë me punë për ndeshjen e ardhshme kundër Sileksit në Kratovë. Unë pres rezultat pozitiv. Është ndeshje e vështirë, më e vështirë se ndaj Vardarit. Do të ishte shumë mirë të fitojmë në Kratovë, ne do të japim gjithmonë maksimumin”, përfundoi Mbella. /lajm