Më kurseni nga urimet e kësaj feste të madhe. Uroni, përgëzoni dhe festoni, bile bile shkoni e drekoni dika e diku majmë në kurriz të popullit të mjerë. Flamuri, pavarësia, shteti e shtetësia ekzistojnë e janë për të rregulluar, për të bërë më të mirë jetën dhe kushtet jetësore të njeriut e qytetarit, më pa halle dhe pa derte. Nuk dua të më urohet. Urojani atyre në krye të karvanëve, atyre të partushkave apo partushkës. Atyre që nuk dinë se çfarë bëjnë, përveç që popullit e qytetarit i hedhin pluhur hiri në sy, kinse aq shumë na e deshkan flamurin si simbol të qenies kombëtare të këtij populli. Urojani festën matrapazëve politiko-partiakë, atyre që e kanë rrjep këtë popull dhe deri më shtresën e fundit të sociodermës. Urojani atyre që kanë kontribuar për t’i zbrazur vatrat tona dhe që kanë mbushur metropolet europiane dhe ku përjetojnë jetë e të qenurit ai që s’je e që don të jesh. Urojani atyre me kuleta të stërmbushura dhe llogari bankare me mbi gjashtë shifra dhe krejt nga arka e qytetarit të mjerë shqiptar. Urojani dhe mos e leni pa uruar, sepse do të ndjehen keq, të mërzitur, nostalgjikë. E unë ju uroj këtë festë të madhe vetëm atyre që dinë e kanë vetëdije, atyre që e dinë se flamuri është petku i lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Qoftë i përhershëm ekzistimi i këtij simboli të identitetit të popullit shqiptar. Gjithmonë qoftë ruajtës dhe mbrojtës i shpirtit kombëtar shqiptar. (Samir Mehmeti)