Një ditë pasi shijoi momentet e lirisë, Lule Doçit i duhej të rikthehej në shtëpinë e saj, në Karricë të Matit. Asaj i duhej të përballej, herët a vonë, me realitetin dhe njerëzit e fshatit. Që nga viti 2011, pasi u arrestua për vrasjen e të shoqit, ajo ka jetuar në një tjetër botë.

Rruga që e çon drejt shtëpisë bart ndjesi, që vetëm ajo mund t’i përjetojë.

“U emocionova shumë. Kthehem sërish pas 4 vitesh e 2 muaj. Më dridhen gjunjtë”.Për të mbërritur deri atje, duhen përshkuar 20 minuta rrugë në këmbë. Ndjenjat e përziera, terreni i vështirë dhe i ftohti, e lodhin së tepërmi. Por kur nis të përballet me banorët e fshatit, me të cilët deri para disa vitesh ka ndarë përditshmërinë, lotët e gëzimit lënë pas gjithçka tjetër.Hapat ngadalësohen kur mbërrin në shtëpi. E presin të afërmit e të shoqit.Të futet brenda shtëpisë, ku çdo hap i kujton një vuajtje, i merr gjithë fuqinë e vetëpërmbajtjen. Te pragu, Lulja dorëzohet.Dy dhomat e shtëpisë janë ashtu siç i ka lënë nëntorin e 2011-s. Myku dhe varfëria kanë qenë banorët e vetëm gjatë kësaj kohe.“Është shumë e vështirë të rikthehem në shtëpinë ku ndodhi krimi. Do i them djalit të madh të më sjellë fëmijët, që të mos luaj nga mendtë e kokës”.
“Nuk e kam problem. Jam mësuar me vuajtje. Nuk dua luks. Dua vetëm një banesë, ku të mbledh fëmijët e mi”.Rrëfimi i sinqertë i 53-vjeçares u ka lënë mbresa edhe atyre që e ndoqën në studion e “Pasdite në Top Channel”.
Anila dhe Amina janë dy zonja, të cilat menjëherë pas emisionit kanë vendosur ta ndihmojnë financiarisht.“I falënderoj pa masë. Nuk është e lehtë dalja nga burgu”.
Tashmë, nevoja për të pasur një shtëpizë larg atij vendi dhe për t’ia nisur gjithçkaje nga e para, janë të vetmet mendime që Lule Doçit i pulsojnë pareshtur në kokë. Ajo do të lërë pas të kaluarën, që i mori shumëçka e nuk i dha asgjë në këmbim./ Top Channel