Grupi legjendar i muzikës heavy metal “Metallica” është me ne tash e 35 vjet. Anëtarët e bendit nuk janë më djelmosha – por zëri i tyre dallues është më i freskët se asnjëherë.

Albumi i grupit në bashkëpunim me kantautorin Lou Reed nuk ishte aq i suksesshëm sa shpresohej, por ai që pasoi, “Hardwired…To Self-Destruct” duket sikur të jetë tamam ai që shumë adhurues të bendit “Metallica” kanë qenë duke e pritur.

Kënga, sipas së cilës është titulluar albumi, ishte publikuar në gusht dhe adhuruesit e bendit e kanë pasur një shenjë se çfarë ishte duke ardhur, shkruan DW. Është kthim tek rrënjët: përtokë, i shpejtë, i finalizuar me zërin karakterizues së James Hetfield.

Albumi i ri do t’ua kujtojë adhuruesve të kamotshëm të bendit “Metallica” albumin e parë “Kill’em all” që ishte lansuar më 1983. “Ka disa elemente që janë marrë prej aty në albumin e ri”, pranon bateristi dhe themeluesi i bendit “Metallica”, Lars Ulrich. I themeluar më 1980 në Los Angeles, “Metallica” ka shitur më shumë se 110 milionë albume në gjithë botën – është një prej bendeve më të suksesshme të këtij zhanri.

Sa u përket rekordeve të shitjes, bendi në të vërtetë kishte pasur një fillim të ngadaltë, por pas turneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, u rrit shpejt. Bendi kishte punuar shumë për të bërë karrierën. Asokohe asnjë bend tjetër nuk solli një përzierje të melodive agresive dhe të ndjeshme me aq perfeksion.

Më 1986, albumi i tretë “Master of Puppets” ua kishte vulosur atyre prirjen drejt heavy metal. Edhe sot ky album konsiderohet si më i miri i “Metallicas” dhe kënga sipas së cilës është titulluar albumi u bë një klasik virtual i heavy metalit.

“Master of Puppets” nuk kaloi pa u vërejtur dhe Ozzy Osbourne e Anthrax e morën “Metallican” nëpër turne si grup mbështetës. Albumi numër katër “…And Justice for All” pati sukses në top-lista amerikane, duke ia sjellë bendit edhe nominimin për çmim “Grammy”.

Më 1990 “Metallica” u vlerësua me “Grammyn” e parë nga tetë sosh për këngën “One”. Secili album tjetër që u publikua pastaj ishte numër një në top-lista. Me “Nothing Else Matters”, “Metallica” zaptoi tregun kryesor pa pasur nevojë t’i lërë mënjanë adhuruesit besnikë – një veprim balancues që bendi ia doli ta menaxhonte.

“Metallica” është “i vetmi bend heavy metal që të rriturit mund ta dëgjojnë pa e ndier se koeficienti i inteligjencës së tyre të jetë zvogëluar”, thotë guida muzikore “Rough Guide to Rock” .

Loading...