Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, pyeti kryeministrin Zoran Zaev për letrën e ambasadorit të SHBA-ve në Shkup në të cilën ai u bën thirrje gjykatësve të mos thirren në emrin e tij kur shqiptojnë paraburgim. Letrën e tillë, Milloshoski e quajti “një skandal diplomatik”.

“Për letrën kuptova nga mediat. Unë jam i shqetësuar për atë që ai shkroi. Ka shumë spekulime se emri i ambasadorit amerikan shpeshherë është keqpërdorur për çka kam qenë dëshmitar kur u arrit Marrëveshja e Përzhinës, kur në opinion flitej se ‘këtë e bën BE-ja, këtë e bëjnë SHBA-të. Ka pasur zëra se ambasadori ose dikush nga ambasada në një farë mënyre dëshironte të ndikonte në procese të caktuara. Unë nuk i di arsyet, nuk e di se për çfarë marrëdhënie bëhet fjalë që ambasadori e ka vënë në shqetësim. Ky është një mesazh për gjyqësorin që të mos përmend ambasadën në kontekst se ajo ka sugjerime”, tha Zaev për të shtuar se SHBA-të janë partneri ynë strategjik dhe ky është sinjal të shqyrtojmë se çfarë është në thelb arsyeja për një letër të tillë.

Ai tha se ka udhëzuar këshilltarin e tij për politikë të jashtme të bisedojë me ambasadorin Jess Baily, por ai nuk është këtu për shkak të pushimeve.

Në seancën e sotme të pyetjeve të deputetëve, foli edhe ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili nga deputeti Milloshoski u pyet se kush ka përgjuar dhe kush i përdori materialet në skandalin e përfolur të përgjimit të 30 shtatorit 2016.

“Nuk bëhet fjalë për përgjimin e Prokurorisë Publike si një institucion apo gjykatë, por ka të bëjë me mundësinë për të incizuar të cilat i ofron centrali i blerë në vitin 2012 për çka hetimi i Prokurorisë Publike do të tregojë nëse ka pasur keqpërdorime”, tha Spasovski.

Në pjesën e parë të debatit, ekzekutivi u pyet për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike ku parashihet emërimi i zëvendës drejtorëve, për ndotjen e ajrit, për reformat në arsim etj.AA