Ministria e re për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive kaloi leximin e parë në seancë plenare dhe përcoll në procedurë të mëtejme në komisionet parlamentare dhe në lexim të dytë, raporton SHENJA.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Ejup Halimi tha se ky propozim vjen si vendim i marrë edhe nga Qeveria aktuale edhe nga qeveria e kaluar, si dhe nga analiza e implementimit të MO-së. Ai shtoi se të gjitha kompetencat që aktualisht i ka SIMO do t’i kalojnë ministrisë së re.

“Të gjitha kompetencat nga sekretariati i kalojnë ministrisë dhe i shtohen konpetencat e tjera. Më vjen mirë që kjo iniciativë është mbështetur edhe nga VMRO-DPMNE dhe LSDM dhe kandidatët e pavarur”, tha Halimi.

Në seancën e sotme deputetët nga bashkësitë më të vogla etnike dolën me kërkesa dhe vërejtje. Deputeti Zeqir Ramçulloviq kërkoi që ministri i ardhshëm i kësaj ministrie të jetë nga bashkësia etnike boshnjake pasi ky komunitet deri më tani nuk ka pasur asnjë funksionar në pushtetin ekzekutiv.

“Kemi dëgjuar se MO është implementuar krejtësisht, por unë si përfaqësues i komunitetit boshnjak nuk vlerësoj kështu, këtu mendoj edhe për përfaqësimin adekuat dhe çështje tjera. Por mendoj se me themelimin e kësaj ministrie do të jepet një impuls në këtë drejtim. Dua të shtoj edhe diçka se me këtë ligj dhe formimin e ministrisë së re do të japim një kontribut për formimin e një shoqërie për të gjithë, për shkak se në Qeveri kemi ministra, zëvendës ministra dhe sekretar nga të gjitha bashkësitë etnike por nuk kemi nga bashkësia boshnjake. Nga 10 ministra pa protokol nuk ka asnjë boshnjak dhe e kam thënë që në fillim se këtu ndjehemi të diskriminuar. Unë mendoj se kemi kuadro të aftë nga komuniteti boshnjak edhe për poste të tjera edhe për këtë ministri. Besoj se gabimi i bërë atëherë tani do të përmirësohet”, tha Ramçolloviq, raporton SHENJA.

Deputeti tjetër nga komuniteti turk, Enes Ibrahim, doli me kërkesë për ndryshime në kodin zgjedhor dhe të rezervohen vende të garantuara për deputetët nga bashkësitë më të vogla etnike. Ai pati vërejtje edhe përmbajtjen e propozim ligjit për ministrinë e re dhe kompetencat e parapara.

“Unë mendoj se duhet të ndryshojë edhe kodi zgjedhor edhe të rezervohen vende të garantuara për bashkësitë etnike me numër më të vogël. Deri më tani partitë e bashkësive më të vogla etnike duhej të ngjiten me partitë më të mëdha që të vijnë në shprehje”, tha Ibrahim.

Arben Zeqiri /SHENJA/