Çiftet e sapomartuara në Kosovë përballen me presionin e familjarëve për të bërë fëmijë.

Mamia Razije Musa thotë se kjo gjë është e gabuar dhe çiftet nuk duhet të pyeten pse nuk po bëjnë akoma fëmijë, transmeton Gazeta Shneta.

Ja këshilla e plotë e mamisë Razije Musa:

MOS U BËNI PRESION ÇIFTEVE

Një çift i sapomartuar nuk e ka me domosdo të bëjë fëmijë në vitin e parë të martesës, është shumë në rregull që ata të vendosin prioritetet e veta. Ajo që më shqetëson është presioni që u bëhet atyre pasi që kalojnë disa muaj prej kur ata janë martuar.

Sa isha në Kosovë më rastisi të shoh një çift që kanë dy vjet të martuar, për shkak të objektivave të tyre në jetë ata kanë vendosur të mos bëjnë fëmijë edhe një kohë. Gruaja në takimin e parë më tha, haajde na pyet se çka ka të re, pse ende nuk je shtatëzanë.

U ndjeva keq sepse e pash në sytë e asaj gruaje se presioni i rrethit e kishte bërë të mbrohet pa nevojë përballë njerëzve .

Sot, dua të bëjë apel që të keni kujdes me mënyrën se si i’u drejtoheni çifteve. Mund të ndodhë që ata janë duke kaluar në një fazë të trajtimit të infertilitetit, mund të ndodhë që ata kanë një qëllim tjetër paraprak para se të sjellin në jetë fëmijën e tyre, mund të ndodhë që ata thjeshtë nuk janë gati për t’u bërë prindër. Në çfarëdo rasti ju po e rëndoni situatën e tyre, e sidomos të çifteve që përballen me infertilitetin.

Muhabetet si paska mbetë shtatëzanë filanja, ja lindi fëmijën e dytë nusja e kojshikës, apo gjëra të tilla nuk e shtyejnë situatën drejtë përmirësimit, përkundrazi stresi e presioni ndikon shumë në mosmbetjen shtatëzënë.

Bëhuni përkrahje, jo pengesë.