Lideri aktual, Shkëndija e Tetovës, të dielën (ora 14:00), do të zhvillojë ndeshje të rëndësishme në kuadrin e javës së dytë të sezonit pranveror. Kuqezinjtë do të përballen me Makedonija GJP si mysafirë.

 

Njëri nga lojtarët më të mirë, mbrojtësi Visar Musliu, ka folur në vigjilje të ndeshjes së javës së 20-të.

“Ishte shumë me rëndësi për ne të fitojmë ndeshjen e parë të gjysmësezonit pranveror dhe gjithë ajo që kemi nevojë në drejtim të realizimin e aspiratave tona tashmë është vazhdimësia. Në këtë drejtim ndeshja e dytë e pranverës në transfertën me Makedonija GJP për momentin fiton vlerë maksimale në aspekt të përqendrimit nga ana jonë dhe ne kemi punuar me shumë përkushtim për të qenë sa më të gatshëm për këtë ndeshje. Respektojmë Makedonija GjP sikur të gjitha ekipet tjera dhe në Shkup do të shkojmë për të dal në terren të japin më të mirën, të luftojmë për tre pikë të reja, të cilat do të na mbajnë në garë dhe në rrugë të mbarë në mbrojtjen e titullit të kampionit që është qëllimi ynë kryesor”, tha mbrojtësi i Shkëndijës, Visar Musliu.

Shkëndija është në vendin e parë me 45 pikë, kurse Makedonija GJP në pozitën e shtatë me 21 pikë.

Ndeshjen në fjalë do ta drejtojë Marjan Eckoski nga Ohri, me ndihmësit e tij Laze Cakareski dhe Aco Maceski nga Struga. /lajm