Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili tha se LDK mos t’i fërkojë duart se nuk do t’i gjejë asgjë prej Gjykatës Speciale.

Mustafa tha se nëse dikush ka bërë krime në Kosovë ateherë ai duhet t’i fërkojë duart e veta.

“Kadri Veseli le të veprojë si kryetar i Kuvendit dhe i një partie të rëndësishme në Kuvend dhe jo si shef i SHIK-ut, sepse një logjikë e tillë është më tepër logjikë e SHIK-ut sesa logjikë politike. Askush nuk i fërkon duart për njerëzit e vet që të shkojnë në këtë Gjykatë as për njerëzit e Kosovës. Por nëse dikush ka bërë krime atëherë ai duhet t’i fërkojë duart e veta e jo të LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se LDK nuk do t’i bashkohet asnjëherë qeverisë aktuale.

“Nëse nuk shkohet në zgjedhje duhet të mendohet konfigurim i tërësishëm i qeverisë ose përfaqësimit të domosdoshëm që do mundësonte ratifikimin e marrëveshjeve”, tha ai.

Teksa ka numëruar zëvendësministrat, ministrat e këshilltarët e Haradinajt, Mustafa ka thënë se duhet të mendojnë ata për vendimet e kryeministrit, një prej të cilave është taksa ndaj Serbisë.

“Kur kam qenë kryeministër kam pas më pak këshilltarë. Duhet të mendojnë ata për të. Serbia e meriton dhe ka meritu një masë të tillë”, tha Mustafa.