Avokati i të akuzuarave të rastit “MONSTRA”, Naser Raufi, pas seancës së sotme ka deklaruar se pret të dëgjojë bisedat e përgjuara që të zbulohet rasti, siç tha ai, të vrasësve të vërtet ku u vranë katër djem të ri dhe një burrë në moshë pranë liqenit të Smilkovës.

Sipas Raufit bëhet fjalë për më shumë përgjime të cilat fillimisht do të duhet të dalin në pah gjatë procedurës së dëshmive.

Mendoj se në përputhshmëri me deklaratën e prokurorit special publik do të zbulohen vrasësit e vërtetë. Ajo që është e sigurt është se këto të akuzuar nuk e kanë kryer veprën. Para se të shpalosen bisedat, ne si palë mbrojtëse do të kemi mundësinë që ti dëgjojmë. Nuk e di numrin e këtyre dëshmive, mendoj se bëhet fjalë për një numër të caktuar. Mendoj se këto dëshmi do të shpien drejt porositësve të këtij akti mizor – ka thënë Raufi.

Në seancën e sotme janë dëgjuar biseda të cilat janë shpalosur në procedurë, para se rasti të kthehet në rigjykim.