Nuk ka dritë në fund të tunelit për Los Angeles Lakers. Sipas të gjitha gjasave për herë të parë në karrierën e tij LeBron James do të mbetet jashtë fazës play-off në NBA, pasi as prania e tij në parket nuk po rikthen kalifornianët në rrugën e duhur. Lakers u mposhtën edhe nga Memphis Grizzlies në Teneesee me rezultatin 110-105, duke pësuar humbjen e 2-të radhazi dhe të 7-ën në 10 ndeshjet duke rrëshiktur madje në vendin e 11-të të konferencës së Perëndimit. 32 pikët e Brandon Ingram por edhe triple-double i mbretit James i cili koleksioni 24 pikë 11 asiste e 12 rikuperime, ishin gjithsesi të pamjaftueshme p[ër Lakers. Humbja përballë një skuadre si Memphis që vinte në këtë ndeshje nga 4 disfata radhazi dhe nuk lufton pothuajse për asgjë, ishte një sinjal tregues se kualifikimi në play-off është një mision thuajse i pamundur për LeBron me shokë.

U rikthye te fitorja Golden State Warriors, që vazhdon të kryesojë në Perëndim. Në suksesin 121-110 në transfertën ndaj Charlotte Horntes, diferencën e bëri dyshja Thomspon-Cousins të cilët realizuan sëbashku 50 pikë. Kjo ishte fitorja e 43-të për kampionët në fuqi të NBA në 60 takime.

Vazhdon kriza e San Antonio Spurs që u mposht lehtësisht në Neë York, nga Brooklyn Nets, duke zbritur në vendin e 8-të të konferencës së Perëndimit. 26 pikët e Aldrige nuk i mjaftuan skuadrës teksane për të evituar humbjen e 7-të në 8 sfidat e fundit ndërkohë që në krahun tjetër ai që po udhëheq Brooklyn drejt fazës play-off në Lindje është talenti D’Angelo Russell i cili spikati edhe këtë herë me 23 pikë 8 asiste dhe 7 rikuperime. San Antonio nëse vazhdon me këto ritme me shumë gjasa do të mbetet jashtë zonës play-off.

Fitore jo shumë e vështirë për Houston Rockets me rezultatin 119-111 ndaj Atlanta Haëks. James Harden u mjaftua me 28 pikë në këtë ndeshje,  sfidë në të cilën shkëlqeu sërish Trae Young. 20-vjeçari i cili ishte zgjedhja e 5-të e draftit të këtij viti po konfirmohet si nga një yjet e rinj të NBA, teksa në këtë sfidë arriti të koleksiononte plot 36 pikë dhe 8 asiste, ndërkohë që po ruan vazhdimësinë në këtë sezon duke treguar se ka aftësi të jashtëzakonshme. Një Steph Curry i ri po lind dhe ai është Trae Young.