Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në Kosovë janë në evidencë edhe 1653 persona të zhdukur. Kështu ka deklaruar të enjten shefja e delegacionit rajonal të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Jelena Stijaçiq, e cila ka shtuar se deri më tash janë zgjidhur vetëm shtatë raste. “Kjo ngecje dhe ngadalësi për zbardhjen e fatit të atyre njerëzve është e palejueshme”, citon FoNet atë, transmeton Koha.net.

Në Komitetin Ndërkombëtar të KK-së nuk flasim me dëshirë për përkatësinë kombëtare të të zhdukurve, por për një të treten e tyre përgjegjësia kërkohet në Kosovë, ndërsa për dy të tretat nga autoritetet e Beogradit, ka thënë ajo gjatë konferencës me gazetarët me rastin e shënimit të 19 vjetorit të punës së Shoqatës së Familjeve të Kidnapuarve dhe të zhdukurve në Kosovë.

Stijaçiq ka deklaruar se KNKK nuk do të heqë dorë nga kërkimet për të zhdukurit dhe se do të vazhdojë të ndihmojë familjet e viktimave.

Kryetarja e Shoqatës, Vera Tomanoviq ka thënë se familjet kërkojnë të vazhdojë verifikimi i lokacioneve në Kosovë e në Shqipëri në kërkim të trupave të viktimave, ndërsa ka shfaqur pakënaqësinë për ngecjen e procesit të zhvarrosjeve.

Në fillim të Konferencës raportohet se kishte ardhur edhe kryetari i Shoqatë së familjeve të të kidnapuarve dhe të të vrarëve, Simo Spasiq, i cili anëtarët e shoqatës tjetër të të kidnapuarve dhe të zhdukurve i kishte quajtur “mercenarë të Soroshit dhe të Haradinajt”, për ta braktisur pastaj Qendrën e Mediave (Medija centar në Beograd), ku po mbahej konferenca, transmeton Koha.net.