Pas një jave të tmerrshme, ku u përballën me eliminimin nga Champions dhe Kupa e Mbretit, por edhe daljen nga lufta për titullin kampion, Reali i Madridit u rikthye te fitorja.

Skuadra e drejtuar nga Santiago Solari, arriti të triumfojë me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën ndaj Valladolidit, në një takim që pati të gjithë episodet brenda.

Kështu sfida startoi vrullshëm për vendasit, që fituan një penallti në minutën e 12’, por që Alcaraz e gjuajti tmerrësisht keq, duke e dërguar disa metra mbi traun e portës.

Megjithatë avantazhi për vendasit erdhi në minutën e 29’, kur Turami shënoi në portën e belgut Courtois, pas një asisti që mori nga sulmuesi i skuadrës së tij, Guardiola.

Reagimi i madrilenëve ishte i menjëhershëm, pasi 3 minuta më pas rikthyen baraspeshën me Varane, që shfrytëzoi mirë një top të ardhur në zonë dhe gjuajti saktë me kokë.

Në pjesën e dytë filloi Benzema-show, me sulmuesin francez që shënoi dy here në portën e vendasve dhe asistoi për Modriç në rastin e golit të katërt.

Vlen të theksohet se në minutën e 80’, kur sfida ishte 1-3 në favor të madrilenëve, Casemiro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Realin me 10 futbollistë.

Gjithashtu një tjetër episod që bëri xhiron e botës, ishte ai i minutës së 14’, kur sulmuesi i vendasve Sergio Guardiola shënoi, por arbitri anuloi golin pasi e rishikua aksionin në VAR.

Megjithatë pamjet e ofruara nga transmetuesit e kampionatit spanjoll, nga brenda dhomës së VAR-it, treguan se nuk kishte asnjë arbitër para monitorëve, për të sinjalizuar kryesorin për vendimin.